Lajme Shqip Saturday, 11 February 2012 09:20

Tiranë – Në 92-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet, figurat që i kanë dhënë identitet këtij qyteti, prezantohen të fotografuar në ekspozitën e fotografit Adem Rreli.

Ekspozita “Njerëz që i bëjnë nder  Tiranës” u çel pasditen e sotme në Muzeun Historik Kombëtar, ku portrete të realizuara në studion fotografike të Rrelit, në mënyrë artistike përpiqen të fiksojnë karaktere të veçanta.

Një foto e vjetër e Tiranës pasohet nga 195 portete njerëzish që kanë lënë gjurmën e tyre në historinë e kryeqytetit të shqiptarëve. Ata janë nga më të thjeshtit, tek njerëzit që jo të gjithë i njohin e deri tek figurat publike, ndër të cilët edhe presidenti Bamir Topi.

Fotografitë bardh e zi sjellin personalitete të ndryshme që kanë karaktere të ndryshme, të cilët Rreli, i ka fotografuar duke ruajtur individualitetin e gjithësecilit.

“Gabim ka qenë që shumë të tjerë nuk i kemi fotografuar para se të ndaheshin nga jeta”, tha fotografi Rrezi duke premtuar një ekspozitë të dytë.

Ndër portretet e ekspozitës syri të shkon menjëherë tek ata që njeh, Kristo Frashëri, Jorgo Bulo, Jorgo Papingji, Edmond Tupja, Edi dhe Mihal Luarasi, Ali Oseku, Lili Cingu, Reshat Arbana, Rexhep Çeliku, Skënder Sallaku, Telat Agolli, etj.

I pranishëm në çeljen e ekspozitës ishte edhe Presidenti Bamir Topi, i cili u shpreh se me fotografin Rreli e lidh pasioni për qytetin, Tiranën.

“Ekspozita e sotme e Rrelit është një mision qytetar që ai ka ditur të sjellë ata që i shërbyen me zemër dhe dashuri qytetit dhe banorëve të tij”, tha Presidenti Topi.

Ekspozita e çelur pasditen e djeshme në MHK do të qëndrojë e hapur edhe në ditët në vazhdim. Kjo ekspozitë është para personale e Adem Rrelit, i cili e ka filluar karrierën në vitin 1975. Ai është ndër profesionalistët më të vjetër të fotografisë në Tiranë.