Lajme Shqip Wednesday, 03 August 2011 21:48

Elbasan – Rreth 8000 turistë kanë vizituar qytetin e Elbasanit gjatë muajve qershor dhe korrik të këtij viti, një shifër kjo dyfish më e lartë krahasur me një vit më parë.

Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini tha se “krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i turistëve është diyfishuar, duke shtuar se kjo rritje ka ardhur si pasojë e investimeve të realizuara gjatë viteve të fundit në bulevardin kryesor të qytetit, si edhe brenda mureve të kalasë”.

Turistë të ardhur kryesisht nga vende të Europës, si Italia, Gjermania, Greqia, etj janë njohur me historinë e lashtë të kalasë së qytetit, si edhe kanë vizituar objektet e kultit, xhaminë “Mbret”, Kishën ” Shën Maria”, të cilat ndodhen brenda mureve të kalasë, si dhe Hamamin, Rrapin e Bezistanit, mozaikun paleokristian të zbuluar para dy vitesh, etj.

Për kryetarin e bashkisë, rritja e numrit të turistëve në qytetin e Elbasanit ka ardhur edhe si pasojë e investimeve të kryera nga bashkia në fushën e turizmit, madje sipas tij ” këtë vit turistët janë njohur edhe nëpërmjet guidës, e cila shfaq të gjitha vendet turistike të qytetit, si edhe historitë e tyre”.

Pasi njihen me qytetin, shumë turistë i janë drejtuar pikave turistike si në Bushek, por edhe në Llixha, për të shijuar një drekë tradicionale nën ajrin e pastër dhe të freskët në këto zona.

Qyteti i Elbasanit, i njohur fillimisht me emrin “Skampa” është i treti në vend për nga madhësia. Ai ka qenë një vendbanim i lashtë në kryqëzimin e rrugëve perëndim-lindje dhe veri- jug.

Në qendër të qytetit mbretëron kalaja, e cila tërheq jo pak vizitorë. Pas nuk mbetet as xhamia e Nazireshës shek XVII , hamami i shek XVI, kisha e Shën Mërisë në kala, muzeu Etnografik , kulla e sahatit, teqja e madhe, teqja e Baba Xhemalit, ndërtesa e muzeut etnografik, 4 km larg nga qyteti ndodhet manastiri i Shën Gjon Vladimirit, i ndërtuar në vitin 1382 nga princi shqiptar Karl Topia.

Ndërsa rreth 5 km larg qytetit ndodhen llixhat termale, shumë të njohura në vendin tonë për vlerat e larta kurative ndaj sëmundjeve të ndryshme reumatizmale etj. Gjithashtu po në këtë zonë ndodhet edhe Kisha e Shelcanit dhe ajo e Valshit, të dyja në zonën e Shpatit, që mbajnë autorësinë e mjeshtrit të madh shqiptar Onufri. 20 km larg qytetit ndodhet fshati malor i Gjinarit në Komunën e Shpatit, një vend ku turizmi dimëror pritet të gjejë zhvillim.

Dumreja e Elbasanit, e njohur si një nga perlat karstike të Mesdheut, numëron rreth 85 liqene. Pozicioni gjeografik i favorshëm, e bënë atë një zonë e lakmueshme, si për turistët edhe për biznesin. Kryeqendra tradicionale e zonës së Dumresë është Belshi.