Lajme Shqip Friday, 18 November 2011 21:00

Tiranë – Përzgjedhësit e Festivalit Ndërkombëtar të Berlinit, pas vizionimit të filmave nga vendet e Ballkanit, vendosën të rekomandojnë për premierë botërore në “Berlinale 2012” dy filma shqiptarë.

Sipas njoftimit për shtyp nga Qëndra Kombëtare Kinematografike, Anna Hoffman, Bernd Buder dhe Nikolaj Nikitin kanë përzgjedhur për seksionin “Forum International” filmin e gjatë artistik “Farmakon”, të regjisorit Joni Shanaj dhe filmin e shkurtër “Dita e fundit e Loro Shestanit” nga Sokol Keraj. Po sipas QKK-së, në diskutim për rekomandim në “Berlinale” është edhe një film tjetër artistik i gjatë, i cili do të publikohet më vonë.

Tre përzgjedhësit që ishin në Tiranë në datat 13-17 nëntor për të parë filmat nga Serbia, Sllovenia, Kroacia, Maqedonia, Kosova, etj, janë pjesë e fazës së parë të përzgjedhjes në të cilën duhet të kalojë një film për në Berlinale. Më pas do të jenë selektorët e festivalit të cilët, mbi bazë të rregullave të tyre, do të bëjnë dhe përzgjedhjen përfundimtare të filmit që do të shfaqet premierë botërore në “Berlinale 2012”.

Këtë vit u paraqitën në fazën e parë rreth 130 filma artistikë, dokumentarë dhe të animuar. Shqipëria u prezantua me 7 filma, ndërkohë që për herë të parë në këtë fazë përzgjedhjeje u përfshi edhe Kosova me 6 filma.   

Kjo është hera e parë që Shqipëria u bë vendtakimi për prodhimet kinematografike nga Ballkani. Vitin që shkoi u përzgjodh për në “Berlinale” filmi “Amnistia” i Bujar Alimanit, ndërkohë që Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Berlin, këtë vit zhvillon edicionin e tij të 62-të, në datat 9-22 shkurt 2012.