Durrës – Dy predha, nga 50 kg secila që mendohet se i takojnë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, u zbuluan rastësisht sot pasdite gjatë punimeve në themelet e një pallati në ndërtim, në qendër të qytetit të Durrësit.
Zëdhënësja e Policisë së Qarkut të Durrësit, Ornela Çako, tha se, “predhat, që peshojnë 50 kg secila , u zbuluan gjatë punimeve për hapjen e themeleve të një godine të re, përballë ndërtesës së Albtelekomit, në vendin e njohur si ish Lulishtja “1 Maji”.
Zëdhënësja e uniformave blu të qytetit bregdetar bëri të ditur se predhat mendohet t’i takojne periudhës së Luftës së Dytë Botërore, ndërkohë që zona ku u gjetën , tashmë është rrethuar në pritje të ekspertëve të xhenios që do saktësojnë detajet rreth objekteve të zbuluara.
Nuk është hera e parë që në qytetin bregdetar të Durrësit janë zbuluar të tilla objekte, pasi raste të ngjashme ka patur edhe vitet e kaluara, kur gjatë ndërtimeve të reja janë zbuluar predha e municione, si dhe të tjera objekte luftarake, kryesisht të Luftës së Luftës së Fundit Botërore.