Lajme Shqip Saturday, 10 December 2011 20:30

Durrës – Ullinjtë më të vjetër në vendin tonë ndodhen në disa nga fshatrat e Shqipërisë së mesme dhe mosha e tyre mund të jetë mijëvjeçare. Prof. Enver Isufi, specialist i bujqësisë BIO, thotë se në kodrat rrëzë malit të Dajtit, në Petrelë dhe në qafën e Tujanit ndodhen disa nga ullinjtë më të hershëm të Shqipërisë. Tashmë ka nisur puna për t’i shpallur monumente natyrorë, të vizitueshëm nga turistë vendas dhe të huaj.

Ullinjtë që ndodhen në fshatin Linzë kanë një pamje shumë të bukur dhe në zgavrën e tyre ka vend për të luajtur apo për t’u fshehur- flet me entuziasëm prof. Enver Isufi. Tre ullinj të tjere mjaft të motshëm ndodhen edhe në afërsi të kalasë së Petrelës dhe mund të shihen edhe nga kulla e saj- vijon ai. Ato kane një diametër prej disa metrash dhe gjatë rritjes shumëshekullore duket qartë edhe zgjerimi me fidanë të lindur pranë rrënjëve të vjetra.

Sipas specialistit të bujqësisë, përcaktimi i moshës së ulinjve nuk është i thjeshtë dhe ai mund të bëhet vetëm në laboratorë të profilizuar, por mosha e ulinjve që janë marrë në studim disa herë i kalon 1 mijë vjet.

Vendi ynë ka një traditë shumë të mirë në kultivimin e ullinjve, të dokumentuar të paktën që nga koha e Skenderbeut. Në kushtet e mbjelljes masive të fidaneve të rinj që subvencionohen nga shteti, kujdesi dhe rivlerësimin i ullinjve qindravjeçarë përbën një tjetër nxitje për vazhdimësinë e kësaj tradite.

Prof. Enver Isufi disa vjet më parë ka botuar librin “Bisedë me ullirin”, i përkthyer edhe në disa gjuhë të tjera.