Lajme Shqip Tuesday, 12 April 2011 15:45

Durrës – Kultura zvicerane ka qenë e pranishme sot në Durrës përmes një veprimtarie të organizuar në pallatin e kulturës “Aleksandër Moisiu” të qytetit bregdetar.

Në fjalën e saj përshëndetëse ambasadorja e Zvicrës në vendin tonë Yvana Enzler vlerësoi bashkëpunimin e bibliotekës së Durrësit në organizimin e kësaj veprimtarie, e cila mbërrin në qytetin antik pas Beratit dhe Fierit. Ajo shtoi se që prej 17 vitesh në vendin tonë janë realizuar një sërë programesh në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe me organizma të ndryshëm lokalë.

Të pranishmit ndoqën me shumë interes referimet mbi letërsinë zvicerane dhe rolin e teatrit në shoqërinë e këtij vendi, si dhe mbi përkthimet në gjuhën shqipe të veprave të romancierit të madh Max Frish, trajtuar nga specialistët e bibliotekave Flora Dervishi, Enton Bido dhe Teuta Dhima.”Një veshtrim mbi demokracinë direkte zvicerane” ishte tema e mbajtur nga Arben Jaupaj, në të cilën u sollën fakte mbi elementë të jetës politike dhe sociale në Zvicër.

Drejtori i Kooperacionit zviceran në vendin tonë Daniel Zust tha se Zvicra dhe projektet e mbështetura prej saj kanë mbërritur në Shqipëri që në vitin 1994. “Ne po zbatojmë aktualisht programin e përbashkët mbi arsimin profesional të emërtuar AlbVet, që është shtrirë thuajse në të gjitha qarqet”-tha më pas ai.

Mbi bashkëpunimin në fushën e trajnimeve profesionale foli më pas edhe drejtori i Sëiss kontakt më qendër në Durrës, Matthias Jager.

Një dokumentar për Zvicrën terhoqi vëmendjen e të pranishmëve mbi karakteristikat e këtij vendi evropian me sipërfaqe 41.285 km katrore, ku jetojnë afro 7.7 milion banorë. Zvicra ka konsoliduar tashmë një shoqëri multikulturore, në të cilën kontribuojnë mbi 1.5 milion të huaj dhe ku kanë status zyrtar katër gjuhë të ndryshme.