Lajme Shqip Saturday, 26 March 2011 11:17

Durrës – “Priftuli dhe miqtë” ishte ekspozita e çelur për të pestin vit në Durrës, në nderim të piktorit Gavril Priftuli, i ndarë nga jeta në mars të vitit 2006. Në përurimin e saj, në mjediset e galerisë “Priftuli”, morën pjesë artistë të njohur të daltës dhe penelit, miq e shokë të piktorit durrsak si dhe familjarë të tij.

Ekspozita e organizuar nga vajzat e piktorit të ndjerë, Meri dhe Yllka është kthyer në një pikëtakimi  që shërben edhe si bashkëbisedim për artistët dhe artet figurative, çka përbënte edhe një nga dëshirat e veçanta të Gavrilit.

Në mjediset e galerisë mbrëmjen e kaluar janë promovuar punimet e Naxhi Bakallit dhe Bujar Zajmit, Nelo Llukaçit dhe Kujtim Buzës, Llambi Blidos dhe Skënder Kamberit, Skënder Kokobobos dhe Buron Kacelit, Agim Fajes dhe Sadri Ahmetit, Emjona Stasit dhe Yllka Priftulit, si dhe punimet e Gavril Priftulit.

Tablotë e formative të ndryshme kanë mbledhur bashkë në Durrës disa nga emrat më të njohur të pikturës shqiptare, ndërsa veprat e tyre prezantojne  peisazhin, natyrën e qetë dhe portretin në format më të mira të shprehjes.

Shumë ndjenjë artistike në ekspozitën “Priftuli dhe miqtë”, por edhe shumë dashuri për mikun dhe për pikturën e tij, për të cilën artisti Naxhi Bakalli shprehet: “Natyra shndërrohet nga njeriu artist në një ekspresion konceptual, ndërsa formësimi i lirë i ngjyrës bëhet kualitet i veçantë i estetikës së tij”.

Meri Priftuli, vajza arkitekte e piktorit kujton galerinë e parë që ka hapur i ati në vitin 1993, galeri që tashmë menaxhohet nga familja e tij.

Gavril Priftuli ka punuar në vaj, akuarel, me pastel dhe me ngjyra vitrazhi në xham. Priftuli është mjaft i njohur edhe si skulptor: mermeri, gurët e zallit, druri dhe gjithçka natyrore në duart e tij bëhej një object i mirëfilltë artistik. Disa galeri në vendin tonë, por edhe muzetë kombëtare në Krujë dhe Durrës kanë të ekspozuara punime në formate monumentale të tij.