Lajme Shqip Saturday, 30 April 2011 08:40

Durrës – Tre artistë durrsakë kanë prezantuar mbrëmjen e kaluar një shfaqje të thjeshtë, e cila solli në odeonin “Nikolin Xhoja” të qytetit bregdetar dhjetra artdashës, si dhe mësues e nxënës të shkollës së mesme “Jan Kukuzeli”. Hysen dhe Keti Bash’hysa, babë e bijë dhe pianistja Mirela Xhaferri, për më shumë se një orë u bënë protagonistë të spektaklit të titulluar “Coctail artistik”.

Hysen Bash’hysa, aktor i njohur i teatrit “Aleksandër Moisiu”, shprehu kënaqësinë e rikthimit të veprimtarive të tilla, që bashkë me traditën e bukur shpalosin talentin dhe kontributin e artistëve më të rinj. Aktori i skenës kishte përzgjedhur një grup poezish me tema të ndryshme, të cilat krijuan atmosferë të përzgjedhur, mjaft afër veprave muzikore që u prezantuan në spektakël.

Pianistja Mirela Xhaferri pas interpretimit të tre valseve nga Shopen, luajti me mjeshtëri kohën e parë të Sonatës nga Eduard Grig si dhe “Polonezen” e Shopenit.

“Fluturimi i brumbullit” të Rimski Korsakov dhe koha e parë e Sonatës së Shubertit ishin dy veprat e përzgjedhura nga instrumentistja Keti Bash’hysa, e cila nëpërmjet tingujve të violonçelit përcolli emocione të veçanta tek të pranishmit e shumtë.

Dy mësueset instrumentiste të shkollës së mesme artistike “Jan Kukuzeli” dhanë një shembull shumë të mirë bashkëpunimi mes tyre, ndërsa përvoja e aktorit Hysen Bash’hysa si dhe vargjet e deklamuara nga poezitë e Kadaresë e Agollit afruan më shumë spektatorët me muzikën e përzgjedhur nga artistet durrsake.