Lajme Shqip Tuesday, 10 May 2011 16:54

Durrës – Emra të njohur të arteve pamore në Durrës janë bërë pjesë e një ekspozite të përbashkët me vepra nga fondet 20 – 80 vjeçare të Galerisë së Arteve të qytetit, të rikthyera pas vitesh për qytetarët.

Ekspozita është çelur në Galerinë e re me sipërfaqe rreth 250 metrash katrorë, që ka nisur të funksionojë këto ditë, në mjediset që janë pjesë e projektit për rehabilitimin e sheshit “Liria”.

Mbi 80 punime të përmasave të vogla dhe mesatare kanë rikthyer para publikut disa tablo dhe bocete nga pasuria prej 1140 veprash në pikturë dhe skulpture, që janë bllokuar prej vitesh për mungesë hapësire në mjedise të vogla dhe të papërshtatshme.

18 vjet pas mbylljes së Galerisë së vjetër të Arteve, dhe rikthimit të godinës ish-pronarit, këto ditë janë ekspozuar për herë të parë tablotë me vlera historike dhe artistike të piktorëve Nexhmedin Zajmi, Abdurrahim Buza, Sabri Tuçi, Spiro Golgota, Gavril Priftuli, Sali Shijaku, si dhe të mjaft autorëve të tjerë me kontribute të veçanta në kulturën e qytetit të Durrësit.

Tablotë më të hershme mbajnë firmën e piktores Androniqi Zengo Antoniu dhe janë punuar në vitin 1942.

Gjithashtu në ekspozitë kanë prezantuar punimet e tyre artistike profesionistë dhe amatorë të bashkuar nga i njejti pasion si: Vasil Kokoshari, Skënder Balaj, Sali Xhixha, Agim Kavaja, Besnik Biduli, Gëzim Kushumi, etj.