Lajme Shqip Wednesday, 31 August 2011 20:57

Durrës – Fransis Ford Copola, regjisori i madh hollivudian, ka mbërritur në Durrrës sot pasdite, i ftuar special në Festivalin ndërkombëtar veror të filmit që zhvillohet për herë të katërt në qytetin bregdetar.

Takimin e tij të parë regjisori amerikan e zhvilloi në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, e cila ishte mbushur me kineastë, studentë, gazetarë dhe intelektualë të sferave të ndryshme.

“Shumë vitë më parë kam punuar në Dubrovnik dhe e dija se ekzistonte një vend ku në atë kohë nuk mund të shkoja: Shqipëria. Jam i kënaqur që jam këtu”, u shpreh që në fillim regjisori.

Për më shumë se një orë Copola ka folur për gjithshka, duke i hapur rrugë që në fillim pjesmarrësve: Mos u druani, pyesni për gjithshka që doni të dini, nga aktrimi te teknologjia.

“Ndjehem mirë kur bëj gjithshka vetë, tha ai më pas. Për këtë arsye kam vendosur që filmat e mi t’i financoj vetë-tha regjisori Copola.

Duke iu rikthyer filmave të tij të parë ai kujtoi me nostalgji se projekte si “Njerëzit e shiut” i dhanë mundësinë të thotë diçka personale-vijoi Copola, duke theksuar se shumë herë filmat me buxhet të vogël sjellin ide të mëdha.

I pyetur për suksesin e “Kumbarit”, filmit që i dha shumë famë, Copola nënvizoi se ka gjithmonë një strategji biznesi në vazhdimin e serialeve, si në rastin e ‘Kumbarit’.

“Nga kjo pikpamje “Kumbari” nuk më bëri mirë, sepse kur të konsiderojnë regjisor të madh dhe të ofrojnë buxhete të mëdha ke më pak mundësi të bësh filma personalë. Kjo është arsyeja përse tani i financoj vetë idetë dhe skenarët e mi”, tha Copola.

“Ndjehem krenar për fëmijët e mi që kanë ndjekur karrierën time artistike”, tha më tej Copola, i cili vjen nga Italia vetëm pak ditë pas ceremonisë së martesës së vajzës së tij Sofia Copola, aktore e njohur dhe regjisore tashmë e famshme. Edhe mbesa ime po e ndjek këtë rrugë, vijoi regjisori, duke prezantuar në sallë edhe bashkëshorten, një operatore shumë e aftë filmike, sipas tij.

“Nuk janë vetëm fëmijët që përfitojnë prej meje, edhe unë përfitoj prej tyre”, u shpreh Copola, i cili është martuar në moshën 22-vjeçare. Regjisori amerikan i këshilloi kineastët e rinj të ndjekin idetë e tyre.

Ai kujtoi filmin “Apocalips noë”, i cili fillimisht u duk si një ide e çmendur dhe shumë vite më pas u përkufizua si një film “klasik”. “Por mos harroni që në këtë profesion duhen sakrifica, shpesh herë duhet një punë e dytë. Shikoni kompozitorët e mëdhenj Çajkovski, Borodin, Rimski Korsakov, e shumë të tjerë, ata të gjithë kishin edhe një profesion tjetër”, u tha miqësisht të pranishmëve Copola.

“Durimi dhe besimi tek vetja janë dy shtyllat e rëndësishme në profesionin e kineastit”, tha Copola, sipas të cilit kinemaja është një punë e përbashkët në bazë të të cilit qëndron shkrimi dhe aktrimi.

Nga personazhet e 5000 vjetëve të fundit do të kisha dashur të takoj një njeri që ka jetuar këtu pranë: Pirron e Epirit, tha Copola.

Pas këtij takimi regjisori u prit nga kryetari i bashkisë Vangjush Dako dhe zhvilloi në mjediset e bashkisë një takim të shkurtër me disa qytetarë të Durrësit.

Regjisori i madh i Hollivudit do të prezantojë në Durrës filmat e tij “Rini pa rini” dhe “Tetro”.