Lajme Shqip Saturday, 20 October 2012 13:57

Durrës-Artistët durrsakë kanë kujtuar këto ditë kolegun e tyre Vangjel Heba, i ndarë nga jeta pesë vjet më parë, pas një sëmundjeje të rëndë. Regjisori Gjergj Vlashi kujton se Vangjeli ka krijuar figura mjaft interesante edhe në kinematografi: peshkopi te “Nëntori i dytë”, apo beu, në “Malet me blerim mbuluar”, e më pas Murrashi te “Toka jonë”, etj.

Janë 26 filma, nuk janë pak-thotë Artisti i Popullit Gjergj Vlashi. Më pas kujtimet shtyhen më tej: Djalosh i pashëm dhe mjaft komunikues ka drejtuar si konferencier Festivalin e Tretë të Këngës në Radio-Tirana (Radiotelevizioni i sotëm)-thotë Gjergj Vlashi, i cili ka qenë regjisor i këtij festivali.

“Vangjel Heba ishte petriti i skenës së teatrit të Durrësit, i gjallë, i palodhur dhe dinamik”. Duke kujtuar kolegun që vdiq në moshën 74-vjeçare, regjisori Haxhi Rama kujton si një nga rolet më të arrira të Vangjelit, atë të Petritit, te “Familja e peshkatarit”. Ai ishte vërtet i tillë, “petrit”, për ne artistët më të rinj dhe për vetë teatrin-thotë Mjeshtri i madh i skenës, Rama.

“Vangjeli ishte një regjisor strikt dhe shumë serioz dhe unë patur fatin të punoj me të në dramat “Njerëz mbi shkëmb”, “Një shok i klasës sime”, etj. Ndërsa aktori Mirush Kabashi kujton se karriera artistike e Vangjel Hebës ka nisur në vitin 1970, me një rol të mrekullueshëm, Hlestakovin, në komedinë “Revizori” të Gogolit. “Sapo kisha mbërritur nga auditoret e Institutit të lartë të Arteve dhe regjisori Vangjel Heba më besoi që në hapat e parë”. Më pas bashkëpunimet vazhduan mjaft të frytshme dhe në dramën “Një shok i klasës sime” Vangjeli ishte jo vetëm regjisor por edhe një nga interpretët kryesorë të pjesës”.

Lojën e aktorëve Nikolin Xhoja dhe Vangjel Heba e ndiqte nga prapaskena. Roli komik i Anjuçkinit te Martesa e Gogolit ishte një nga arritjet e Hebës që e plotësonte atë jo vetëm si aktor të figurave dramatike, por edhe si njohës shumë i mirë i planit komik të figurave. Kam qenë i lumtur që e kam dubluar atë rol mjaft të këndshëm-thotë Mjeshtri i madh i skenës, Kabashi.

Vangjel Heba u lind në vitin 1933 në qytetin e Durësit, në një familje të nderuar qytetare. Shkollën 7-vjecare dhe të mesme i kreu në qytetin bregdetar, ku dhe spikatën aftësitë e tij në fushën skenike. Në fillim të viteve ’50 ai nisi punën si aktor në teatrin e Ushtrisë në Tiranë, ndërsa në 11 janar të vitit 1953, Vangjel Heba bëhet një nga aktorët themelues të Teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit bregdetar.

Në skenën e këtij teatri, Vangjel Heba u shqua si aktor i roleve të fuqishme dramatike, duke interpretuar role të heronjve kryesorë. Por nuk mungojnë edhe rolet e suksesëshme në komedi të ndryshme. Ai ka interpretuar mbi 120 role në teatër, mes të cilëve spikasin; Petriti te “Familja e peshkatarit”, “Anjuckin te “Martesa” e Gogolit, Adem Reka te “Flamur në stuhi”, Breti te “Rrënjë të thella”, etj.

Kontributi i Vangjel Hebës është i njohur në kinematografinë shqiptare. Ai ka krijuar 26 figura në filmat “Nëntori i dytë”, “Toka jonë”, “Malet me blerim mbuluar”, “Furtuna”, “Njësiti gueril”, etj. Gjatë karrierës së tij të gjatë artistike, Vangjel Heba ka vënë në skenë disa pjesë, duke shfaqur edhe talentin e tij si regjisor.    

Dramat dhe komeditë “Njerëz mbi shkëmb”, “Një shok i klasës sime”, “Revizori”, etj. mbajnë firmën e regjisorit Vangjel Heba. Në teatrin “Aleksandër Moisiu”, ku dhe doli në pension në vitin 1988, Vangjel Heba ka interpretuar mes aktorëve mjat të njohur të skenës dhe ekranit si; Artisti i Popullit, Nikolin Xhoja, Mirush Kabashi, Artistët e merituar, Vera dhe Spiro Urumi, Guljelm Radoja, Ali Bega, Marta Burda, etj. (LajmeShqip.com)