Lajme Shqip Saturday, 05 November 2011 15:00

Durrës – Në qytetin e Durrësit që prej një jave kanë filluar të vendosen tabelat treguese të rrugëve dhe shesheve të qytetit.
Burime zyrtare nga bashkia e qytetit bregdetar bënë të ditur për ATSH-në se në fund të kësaj procedure duhet të instalohen 2.145 tabela orientuese gjithsej, të cilat emërtojnë dhe orientojnë lidhur me vendndodhjen e 908 shesheve dhe rrugëve. Duke u mbështetur në fotot ajrore që u realizuan nga ALUIZNI gjatë procesit për  legalizimet në qytetin e Durrësit u evidentuan 598 rrugë, 307 rrugica si dhe tre sheshe. Ndërkaq në territorin e bashkisë ndodhet edhe një shëtitore si dhe një pjesë e superstradës Durrës-Tiranë.

Sipas të njëjtave burime, shumica e shesheve dhe rrugëve emërtohen për herë të parë, pas një konsultimi afro 2-vjeçar të këshillit bashkiak me specialistë të kësaj fushe.
Sipas të dhënave të vitit 2008 në qytetin bregdetar deri në fillim të viteve 1990 kishte vetëm 126 rrugë dhe sheshe të emërtuar. Pjesa tjetër është përzgjedhur kryesisht nga historia e re dhe e vjetër e qytetit antik, si dhe nga konteksti i ri ndërkombëtar në të cilin bashkëjeton Durrësi, porti më i madh i Shqipërisë. Bashkë me emrat e shenjtorëve të qytetit në antikitet dhe në mesjetë si Shën Asti, Shën Pali apo Shën Blasi, janë të pranishëm emrat e hyjnive që nderonte qyteti si Afërdita, Gea, etj. Nuk mungojnë emrat e autorëve antikë që kanë shkruar për Durrësin që në fillimet e tij si Tukididi, Katuli, Straboni apo edhe komediografi Plauti, ndërsa emrat ilirë Plator, Lydra apo Gent përbëjnë një kategori tjetër të emrave që do të emërtojnë rrugët e qytetit.

Toponimitë e hershme si Akropoli, Odeoni, Teatri antik, Varosh, xhamia Fatih, Batllat apo Kallmi përbëjnë një grup emrash, ndërsa janë parashikuar edhe emrat e qyteteve antikë me të cilat Durrësi mbante lidhje tregtare si Tivari, Ulqini, Albanopoli, Klodiana, Asparagum, Butrinti, etj.
Burimet e bashkisë bënë të ditur se procedura e vendosjes së tabelave po realizohet me një fond nga Ministria e Brendshme, e cila po ndjek në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe zbatimin e projektit.