Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 22:30

Durrës – Danish Bebeziqi dhe Matish Gjeluci, dy krijues durrsakë, kanë kaluar një jetë bashkë. “Më 22 maj bëhen dy vjet nga vdekja e papritur e Danishit”, thotë për ATSH-në Matish Gjeluci, miku i tij i afërt, duke shtuar se, “megjithatë më duket se nuk jam vetëm”. Portreti i qeshur i prof. Danishit na sheh nga njëra prej fotove dhe i bën më të lehta kujtimet.

 

STUDIUESI DANISH BEBEZIQI, NË KUJTIMET E SHOKUT TË FËMIJËRISË

 

“Unë jam dy vjet më i madh se Danishi”, tregon Matishi për mikun e tij. Bisedën e nis që nga fëmijëria, kur banorë në të dy anët e mureve të kalasë mesjetare luanin në kodrën e Vilës, herë mes transheve të mbetura nga lufta e herë të tjera, duke zbritur pa frena me një biçikletë të vjetër.

Familja e Danish Bebeziqit me origjinë nga Shpuza e Malit të Zi kishte mbërritur shumë kohë më parë nga Shkodra në Durrës. Shtëpia e vjetër ndodhej mbi rrënojat e sotme të amfiteatrit antik. “Babai i tij, Izeti, ishte intelektual i formuar në shkollat më të mira austriake”, dëshmon Matish Gjeluci për të kaluarën e mikut të tij. “Librin e parë të historisë ma ka dhënë Danishi. Ishim të vegjël”, vijon profesori 77-vjeçar i letërsisë, i cili kujton dhimbjen e shokut të fëmijërisë për babain e mbyllur për vite me radhë pas mureve të burgut komunist. “Emrin Danish, që në persisht do të thotë “i ditur” ia kishte vënë i ati, të cilin ai e vlerësonte shumë për bagazhin intelektual dhe gjuhët e huaja”.

Danishi u rrit nën kujdesin e së ëmës, Bedrie Bebeziqi, e cila së bashku me Marie Kaçulinin dhe Eftali Koçin ka qenë një nga tre mësueset e para në Shkollën e Vajzave të Durrësit. Një nga shkollat 9 – vjeçare të Durrësit prej shumë vitesh mban emrin e saj.

Matishi dhe Danishi, emrat e të cilëve kumbojnë si rimë, kanë ndjekur së bashku fillimisht shkollën 7-vjeçare “29 nëntori” e më pas atë të mesme “16 shtatori”.

Në faqen e pasme të fotos së maturës së vitit 1953 Matish Gjeluci ka shkruar sipas rreshtave emrat e shokëve e shoqeve: Orest Koreta, Feta Reka, Rauf Kazazi, Elsa Papingji, Ndoc Deda, Xheladin Agovi, Kristaq Vullkani, Salvator Sotiri, Violeta Urumi, Bahri Shami, Toufik Milaqi, … “Janë shumë dhe mjaft prej tyre më vonë u bënë pedagogë në universitete dhe në filialin e Durrësit”, tregon prof. Matishi.

Rrugët e të dy shokëve u ndanë përkohësisht, kur për shkak të babait të burgosur Danish Bebeziqi mundi të kryente me vonesë vetëm Institutin 2 – vjeçar për degën Biologji-Kimi. “E emëruan në shkollën e plazhit. Ishte dashuruar me Sofien dhe u bënë shumë shpejt prindër. Ariani dhe Bamiri ishin shumë të vegjël, kur Danishin e thirrën për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak”, vijon tregimin për shokun e tij Matish Gjeluci.

Danish Bebeziqi sidoqoftë nuk e braktisi ëndrrën e tij, dëshirën e pamatë për t’u marrë me historinë, njëlloj si i ati. Kishte kaluar 30 vjetët, kur nisi studimet me korrespondencë në degën histori-gjeografi në Universitetin e Tiranës, të cilin e përfundoi me nota të shkëlqyera. Ka qenë një odise e vërtetë përpjekja e tij për të dhënë mësim në gjimnaz.

Por, tashmë të dy shokët e vjetër Danishi dhe Matishi, ishin mësues të njohur në qytet dhe falë përvojës u thirrën të japin leksione në filialin e Universitetit që u hap në Durrës.

Matish Gjelucit i pëlqen të ndalet në krijimtarinë e shokut të tij. “Librat ‘Historia e qytetarisë durrsake’ dhe ‘Historia e kombit shqiptar’, e botuar nga Danish Bebeziqi, janë dëshmitë më të mira të dashurisë së tij për Durrësin, qytetin e lindjes dhe për atdheun”, thotë ai. Ato nuk janë thjesht rreshtime faktesh, por janë përfundime shkencore të nxjerra nga dokumentat dhe arkivat.

“Ishte shumë kërkues. Nuk ka rastisur asnjëherë të më kërkojë që të favorizoj ndonjë student, e po ashtu edhe unë nuk e guxoja një gjë të tillë”, shprehet Matishi.

Danish Bebeziqi ishte atdhetar, i pëlqen të nënvizojë Matish Gjeluci. “Në një nga festat e 28 nëntorit na sajoi të gjithëve nga një flamur të vogël. Kemi darkuar në shtëpinë time, me shenjën e kombit në gjoks”. “Ndoshta udhëtimi më i bukur që kemi bërë bashkë ka qenë ai i Kosovës”, vijon Matishi, kur në Pejë, shton ai, ” na priti drejtori i tanishëm i shkollës, ku 50 vjet më parë kishte dhënë mësim dhe kishte qenë drejtor babai i tij, Izet Bebeziqi”.

 

MATISH GJELUCI, KRIJUES GAZMOR

 

Matish Gjeluci vazhdon të flasë një shkodranishte të pastër, të cilën e bart me vete nga qyteti i lindjes. “Kam ardhur nga Shkodra kur isha 9 muajsh dhe në Durrës kam mësuar të eci, të flas dhe të shkruaj”, tregon ai për veten. I ati i tij, Ndoc Gjeluci, ishte caktuar kapiten i portit të Durrësit në vitin 1928 dhe, pas disa peripecive në qytete bregdetare, ky emërim vendosi edhe fatin e familjes Gjeluci.

Matishi ka qenë 10 vjeç, kur Durrësi u zbraz nga gjermanët, të cilët e minuan qytetin. Më pas, vitet e shkollës dhe pasioni për letërsinë, që e drejtuan në Universitetin e Tiranës, prej nga ky erdhi mësues në të njejtën shkollë ku kishet qenë nxënës. “Nuk munda të ulem asnjëherë në sallën e mësuesve të shkollës ’16 shtatori’, pasi kolegë ishin të gjithë ish-mësuesit e mi, nga Petrit Velaj te Qemal Xhomo”, tregon Matishi.

Tani që ka 77 vjet mbi shpinë ai ecën dhe flet edhe më ngadalë, por megjithatë humori në bisedë është i përhershëm edhe kur kujton transferimin 3-vjeçar në një shkollë fshati në Manskuri, ku u mësonte fëmijëve ekonomi shtëpiake dhe fiskulturë.

Në dhomën-studio, ku vazhdon të punojë, një mik më i ri në moshë, kompozitori Ylli Ramzoti ka sjellë shumë nga tekstet që ka shkruar Matish Gjeluci. “Vetëm me Yllin kam 170 bashkëpunime, kryesisht këngë për fëmijë. Qindra bashkëpunime të tjera edhe me kompozitorët durrsakë Agron Xhunga, Vasil Mema apo edhe me Hajg Zacharian. ‘Gëzo Atdhe’ ka qenë teksti i parë, të cilin e kam shkruar në vitin e parë gjimnaz, me kërkesë të kompozitorit të njohur Pjetër Dungu”, tregon prof. Matishi. Më tej, dhjetëra librete për tablo e veprime muzikore, mes të cilave më i rëndësishmi libreti i operas “Bijtë e Skenderbeut”, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar.

“Muzikën me motive të thjeshta e të bukura e kompozoi Abdulla Grimci, ndërsa drejtimi muzikor iu besua një djali të ri, diplomant: Ermir Dizdari. Unë thosha me humor se ky djalë trupvogël e plotësonte dyshen e Grimcit (grimca) e Gjelucit (gjel i vogël)”, bën përsëri shaka Matishi, duke nënvizuar: “Ka qenë një ndërmarrje shumë e vështirë për një ansambël amator, në të cilin u përfshinë më shumë se 100 pjesëmarrës”.

“Vetëm në Durrës gjatë vitit 1968 kemi dhënë 98 shfaqje”, vijon Matish Gjeluci, i cili vlerëson punën e palodhur të drejtuesit të kulturës Llazar Ziu, si dhe koncertmaestron Lluk Kaçaj.

Pas vitit 1990 Matish Gjeluci, tashmë pensionist bëhet promotor i botimit “Vegime drite”, revistë kulturore fetare e bashkësisë katolike të Durrësit. Në numrat e saj kanë zënë vend veprimtaritë e të gjitha komuniteteve fetare të qytetit edhe më gjerë. Në të njejtën kohë ai punon si korespondent i Radio Vatikanit, ndërsa ka fatin të takojë edhe papa Gjon Palin e Dytë.

Aktualisht bashkë me një grup miqsh shkrimtarë dhe poetë, Matish Gjeluci boton revistën letrare “Update-D”. Një lidhje shumë e fortë jo vetëm me Durrësin, e cila përshkon edhe botimet e tij “Trimi e vasha” (poemth 1951); “Shpella dhe topi” (roman për fëmijë 1978) dhe “Rrjedhë” (roman 2008).

“Këtë libër e kanë promovuar shokët dhe shoqet e maturës, me rastin e 55-vjetorit të përfundimit të shkollës së mesme”, tregon Matish Gjeluci, duke shquar mes miqve edhe Danish Bebeziqin, shokun e tij të fëmijërisë.