Lajme Shqip Saturday, 03 September 2011 11:47

Durrës – Filmi italo-francez “Vincere” ka fituar trofeun “Gladiatori i artë” në përfundim të edicionit të katërt të Festivalit ndërkombëtar veror të filmit, që u zhvillua në Durrës.

Gjatë ceremonisë që u zhvillua në arenën e Amfiteatrit të lashtë të qytetit bregdetar, u ndanë edhe statuetat e argjendta. Aktori më i mirë u shpall Sergio Hasselbaink, në filmin Sonny boy, ndërsa çmimin e aktores më të mirë e fitoi Giovanna Mezzogiorno në filmin “Vincere”. Regjisori më i mirë u shpall polaku Lech Majevski me filmin Mulliri dhe Kryqi. Çmimi i FIPRESC-it (jurisë ndërkombëtare të shtypit) iu dha filmit “Martesë në Besarabi”, ndërsa çmimin special të festivalit e meritoi filmi i ish/presidentit çek, Vaclav Havel, “Në largim”.

Për kategorinë e filmave të shkurtër studentor çmimi “Bukuroshja e Durrësit” iu dha filmit “Lajm” të Fatjon Xhikës, student i Akademisë së Arteve të Bukura të Tiranës. Filmi më i mirë ballkanik u vlerësua “72 ditë”, prodhim kroato/serb i regjisorit Danilo Serbedzija, ndersa çmimin e publikut e fitoi filmi turk “Të jesh italian me znj.Enrika”. Drejtues të produksioneve, përfaqësues të ambasadave përkatëse, kineastë të shquar u ngjitën në skenën e festivalit për të marrë çmimet e merituara.

Kryetari i bashkisë Vangjush Dako falenderoi pjesmarrësit që i dhanë gjallëri qytetit, ndërsa Anila Varfi, drejtore e Festivalit, vlerësoi pjesmarrjen e emrave të shquar si, Francis Ford Coppola, Claudia Cardinale, Jan Harlan, Crystof Zanussi, Rade Serbedzija, Jiri Menzel etj.

Ylli i kinemasë italiane prezantoi më pas filmin e regjisorit të shquar italian Federico Fellini “8 ½”, më të cilin u mbyll edicioni i katërt i Festivalit ndërkombëtar veror i filmit në Durrës.