Lajme Shqip Monday, 22 August 2011 08:59

Durrës – Tre piktorë të njohur kanë hapur në Durrës një ekspozitë të veçantë kushtuar plazheve dhe qytetit bregdetar. Buron Kaceli, Mustafa Arapi dhe Sefedin Stafa janë fokusuar kryesisht në peisazhet bregdetare, portretet e pushuesve dhe rrugët e rrugicat plot dritë të qytetit antik.

Punimet janë vendosur në ekspozitën e përbashkët të tre autorëve me përvojë, e cila do të qëndrojë e hapur deri në fund të këtij muaji në galerinë e arteve publike në qendër të Durrësit.

“Pas 7 ekspozitave 10-ditore që janë hapur në galeri, ftuam tre piktorët e njohur me tablotë e të cilëve do të mbyllet cikli veror i ekspozitave”, u tha mediave shqiptare drejtori i rrjetit muzeal Edmond Agolli.

Dyzet e katër punimet e piktorëve kryeqytetas janë ndarë në seksionet personale, që hapen me portretet e tyre, punuar miqësisht nga kolegët piktorë.

Në ekspozitë dallojnë dukshëm stilet, përvojat dhe teknikat e veçanta të Kacelit, i cili punon me penelata të lehta, thuajse njëlloj me tematikën e pushimeve në plazh që ai ka zgjedhur të trajtojë; Arapi, që ka ndalur më shumë në godinat dhe rrugët simbol të qytetit të lashtë apo Stafa, i cili kujdeset për detajin dhe ngjyrën që e dallon nga kolegët e tij artistë.

Nga fillimi i sezonit veror në galerinë e arteve figurative në qytet kanë paraqitur punimet e tyre 13 autorë piktorë e skulptorë, të cilët bashkë me emocionet e tyre kanë sjellë edhe risi profesionale mjaft interesante.