Lajme Shqip Saturday, 20 August 2011 15:21

Durrës – Edicioni i katërt i Festivalit të filmit në Durrës do të nisë më 27 gusht dhe në 6 ditë do të shfaqen mes të tjerave edhe 27 filma premierë.

Drejtorja e festivalit, Anila Varfi, gjatë një konference për shtyp në Durrës sot në mesditë tha se 19 prej tyre janë premiera të filmave shqiptarë, 6 premiera të filmave ballkanikë si dhe tre premiera ndërkombëtare.

Premierat e filmave pasqyrojnë edhe seksionet e këtij Festivali, i cili thekson Varfi “synon një audiencë të re”.

“Jemi në këtë rrugë sepse shumë të rinj nga universitetet dhe shkollat e filmit në Shqipëri do të vijnë për të marrë pjesë në kampusin e Festivalit për t’u njohur më nga afër me kinemanë shqiptare dhe botërore dhe përmes takimeve me regjisorë dhe aktorë të famshëm”.

Sipas Varfit, regjisori i madh hollivudian, Francis Ford Coppola, do të qëndrojë 48 orë në mjediset e Festivalit dhe përveç premierës së filmit të tij “Tetro” do të bashkëbisedojë me gazetarët, artistët dhe studentët në disa senca.

Festivali do të hapet mbrëmjen e së shtunës së fundit të gushtit në amfiteatrin antik të qytetit bregdetar, ku do të shfaqet filmi turk “Honey-Mjaltë” nga Semih Kapanoglu, i cili ka fituar “Ariun e artë” në Festivalin e Berlinit 2010.

Në amfiteatër do të shfaqen 6 filma të tjerë, mes të cilëve edhe “Vincere-Të fitosh”, nga Marco Bellocchio (Itali); “72 ditë” nga Danilo Serbedzija (Kroaci), si dhe “8 ½” i Federico Fellinit (Itali), që do të prezantohet nga aktorja Claudia Cardinale.

Gjatë Festivali do të ketë dy seksione konkuruese “Vizione bashkëkohore” me 10 filma që konkurojnë për “Gladiatorin e artë”, çmimi më i madh i këtij festivali, si dhe seksioni “Botë balkanike”, me 6 filma që vijnë nga vende të ndryshme të hapësirës së gadishullit tonë.

Kinemaja turke do të jetë e ftuar nderi në festivalin e këtij viti dhe kjo është një pasqyrë tjetër e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve tona – tha në konferencën e shtypit sekretari i dytë i Ambasadës turke në vendin tonë, Ibrahim Çetinkaya. Diplomati turk falenderoi organizatorët e festivalit për mundësinë që kanë krijuar për prezantimin e kinemasë turke përmes 7 filmave të përzgjedhur nga kritikja Alin Tascihan. Filmat janë prodhime të 3-4 viteve të fundit -tha diplomati turk Çetinkaya.

Më 1 shtator në amfiteatër dhe në teatrin “Aleksandër Moisiu” do të shfaqen filmat e regjisorit Francis Ford Coppola “Tetro” dhe “Rini pa rini”, të cilat do të prezantohen nga vetë regjisori i shquar i Hollivudit.

Gjatë festivalit që ka si president nderi regjisorin e shquar shqiptar të kinemasë, Dhimitër Anagnosti, janë parashikuar edhe seksionet e Dokumentarit të gjatë dhe Filmit të studentëve shqiptarë, të cilët do të konkurojnë për çmimin “Bukuroshja e Durrësit”.

Festivali do t’i akordojë Çmimin e Karrierës aktorit të mirënjohur të teatrit dhe kinemasë Vangjush Furrxhiu (pas vdekjes). I njejti çmim do t’i jepet regjisorit amerikan Coppola si “Novator i madh i kinemasë moderne”. Aktores italiane Claudia Cardinale do t’i jepet Çmimi i Argjendtë i Durrësit si “Ikona e kinemasë italiane”.

Drejtorja e festivalit Varfi tha se menjëherë për përfundimit të edicionit të katërt (27 gusht – 2 shtator) disa prej filmave do të shfaqen në Sarandë, Vlorë dhe Pogradec (3-5 shtator), çka përbën një risi për veprimtarinë që organizohet në Durrës.

“Gladiatori i artë” në edicionin e kaluar të Festivalit iu dha filmit “Ditët e fundit të Emma Blankut”.