Lajme Shqip Saturday, 21 May 2011 07:59

Durrës – Orkestra e harqeve “Aleksandër Moisiu” ishte të enjten mbrëma protagoniste e koncertit të organizuar në mjediset e katedrales “Shën Luçia” të qytetit bregdetar.

Formacioni prej 17 instrumentistësh profesionistë, nën drejtimin e dirigjentit Petrika Afezolli, intepretoi një program të përzgjedhur me vepra të autorëve shqiptarë dhe të huaj, përballë një publiku tashmë të përhershëm në veprimtaritë muzikore të qytetit bregdetar.

Koncerti nisi me “Suitën për orkestër harqesh” të kompozitorit Kozma Lara (1931), i njohur për fillimet e tij si autor në Durrës, qyteti i tij i lindjes. Vepra solli freskinë e tingujve shqiptarë në auditorin e katedrales, që prej kohësh është mikpritëse e formacioneve të muzikës orkestrale.

Dëgjuesit e shumtë duartrokitën gjithashtu intepretimin e “Suitë sipas stilit të vjetër të periudhës së Holbergut”, një nga veprat e njohura të kompozitorit norvegjez Edvard Grieg (1843-1907).

Orkestrës së harqeve të Durrësit, me përvojë 30-vjeçare, iu bashkua mbrëmjen e kaluar edhe solisti Pirro Sota, koncertmaestër i orkestrës sinfonike të RTV shqiptar. Sota kishte përzgjedhur Koncertin në mi minor i Antonio Vivaldit (1678-1741) për fagot dhe formacion harqesh, duke i shtuar repertorit të tij një vepër tjetër mjaft interesante.

Orkestra e harqeve “Aleksandër Moisiu” është formuar në vitin 1980 nga dirigjenti Ermir Dizdari dhe në podin e drejtimit janë ngjitur emra të njohur si Zhani Ciko, Petrika Afezolli, Vullnet Sabahu, si dhe dirigjentë të huaj nga Italia dhe Gjermania.