Lajme Shqip Thursday, 13 October 2011 13:11

Tiranë- Shkrimtari Dritëro Agolli feston sot 80-vjetorin e tij të lindjes.

Për të nderuar njeriun e letrave, që me krijimet e tij solli një traditë të re në letërsinë shqipe, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Akademia e Shkencave organizuan sot, një takim jubilar.

Sot në ditën e 80-vjetorit të tij të lindjes, Agolli tha se të jetosh është heroizëm, jo nga mundimet e jetës, por kur dëgjon se vdesin të rinjtë. “Duke jetuar këto vite mendoj dhe shikoj të kaluarën time dhe është një kosh me po dhe me jo. Jam munduar të pakësojë po-të, por mendoj që po nuk bëre gabime nuk krijon dot”, tha Dritëro Agolli.

Akademiku prej vitesh është duke shkruar një libër mbi kujtimet e jetës së tij, i cili ende nuk e ka parë dritën e botimit. Një libër për veten e tij dhe për të tjerët, prej të cilit deri tani Agolli ka shkruar 4-5 kapitujt e parë.

“E kam lënë në mes, sepse aty janë disa njerëz që kanë luajtur rol negativ në historinë e vendit. Disa janë gjallë, të tjerë kanë vdekur, por janë fëmijët, nipërit, mbesat e tyre dhe nuk dua t’i dëshpëroj. Do t’i lë të pabotuara për një periudhë”, tha Dritëro Agolli.

Shkrimtari e cilësoi takimin jubilar si një shenjë nderimi, siç mund të jetë për të gjithë shkrimtarët dhe artistë pasi ata, sipas shkrimtarit, duhen përkëdhelur. “Kur isha i ri flisja shumë pak, tani jam shumë llafazan, grindavec dhe dyshues”, tha ai duke qeshur.

Në takimin e organizuar në Akademinë e Shkencave miq e kolegë i uruan jetë të gjatë njeriut të letrave duke e cilësuar atë si shkrimtarin, i cili me talentin dhe intuitën e tij krijuese ka depërtuar thellë në botëkuptimin e shoqërisë shqiptare.

 

Kryeministri Sali Berisha i dërgoi njeriut të letrave një buqetë me lule dhe një urim me shkrim dore me rastin e 80-vjetorit të tij.

Në fjalën e tij përshëndetëse, studiuesi Ymer Çiraku e cilësoi Agollin si pelegrinin e shpirtit shqiptar. “Shtegtimi i këtij pelegrini të palodhur shfaqet i pandalur në kohë dhe në hapësirë, në histori dhe në aktualitet”, tha Çiraku. Sipas tij, ligjërimi i Agollit është ligjërimi i penës së një mjeshtri jo vetëm të palodhur, por edhe të spikatur me dashurinë të derdhur në çdo faqe libri.
Agollin e uroi edhe shkrimtari Moikom Zeqo, i cili e cilësoi atë si simbol të ekzistencës njerëzore, me një vullnet dhe energji të pashtershme. “Dritëro Agolli është shkrimtari që kuptoi që lirika shqipe mund të jetë e përjetshme”, tha Zeqo.

Ndërsa ministri i MTKRS-së, Aldo Bumçi tha se Dritëro Agolli është shkrimtari që falë talentit të jashtëzakonshëm u shndërrua në një model intelektual, i cili shënon një gur kilometrik në krejt rrjedhat që ka pësuar historia e letërsisë shqipe.

Dritëro Agolli lindi në Menkulas të Devollit. Rrugën letrare e nisi me vjersha të cilat i botoi që kur ishte nxënës gjimnazi. Për tridhjetë vjet me radhë ai u zgjodh deputet. Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në gjuhë të ndryshme.

Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, gërshetoi natyrshëm vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike. Ndërsa në prozën e tij, Agolli solli risi jo vetëm në strukturën narrative, por dhe në galerinë e personazheve, sa të çuditshëm aq dhe të zakonshëm, sa tragjikë aq edhe komikë.

Në vitin 2011 Dritëro Agolli, është nderuar me titullin doktor Honoris Causa nga Universiteti Europian i Tiranës.