Lajme Shqip Tuesday, 02 October 2012 15:54

ELBASAN- Teatri ” Skampa” u ndërtua në vitin 1932 në kohën e Mbretit Zog, me një arkitekturë të ngjashme me Teatrin e madh në Itali ” La Scala”.

Kjo godinë do të mblidhte amatorët e estradës së qytetit, dhe vetëm në vitin 1962 ai do të kthehej në një teatër aktiv, me një kapacitet prej 292 vendesh. Zëri në skenë përplasej tek muret dhe më pas shkonte tek spektatori, me një jehonë të qartë, si pasojë e akustikës së tij, vlerësuar nga më të mirat në vend. Drejtori i Qendrës së Artit Bashkiam Paheshti thotë se, “zhvillimi i artit dhe kulturës në Elbasan është më i hershëm, që në vitet’20 nisur nga zhvillimi i madh që kishte marrë teatri vjen në Elbasan një regjisor italian për të vënë në skenë tragjedinë “Aleksandri”, të shkruar nga dramaturgu i shquar elbasanas Et’hem Haxhidemi”.

Pas kësaj shfaqjeje trupa e teatrit vuri në skenë “Cubat” e Shilerit të përkthyer nga Hile Mosi, mësues në shkollën ” Normale” dhe më vonë Ministëri i Arsimit. Paheshti duke marrë shkas nga këto shfaqje nuk lë pa përmendur edhe një kuriozitet të këtyre viteve ku sipas tij “në këto vite vajzat nuk dilnin nga shtëpia. Kjo ishte një dukuri që mbizotëronte në të gjithë vendin. Edhe në Elbasan, pasi vajza mbushte moshën 12 vjeç mbyllej në shtëpi dhe nuk e kalonte “pragun e derës” gjersa martohej”.

Në këto kushte aktorët e teatrit, kur në pjesën teatrale kishte femra, rolet e tyre, pra rolet e femrave i luanin meshkujt. Kështu në dramën “Besa” kanë luajtur rolin e femrave përkatësisht Sif Dodbiba dhe Hasan Ceka dhe më vonë role të femrave kanë luajtur edhe aktorët Llambi Ndrija, Faik Pajuni e ndonjë tjetër”. Teatri amator i Elbasanit u ngjit në skenë ndër vite, duke u bërë zhanri më i dashur e më popullor, aq sa edhe lagjet e qytetit kishin grupet teatrore dhe jepnin shfaqje të bukura për banorët. Më 10 qershor të vitit 1918 me iniciativën e atdhetarit Thanas Floqi, në Elbasan u formua një grup teatror i përbërë nga: Thanas Floqi, Mustafa Curri, Zef Mosi, Tef Leka,

Pas një kohe të shkurtër përgatitjesh me në krye Thanas Floqin, më 26 korrik, vunë në skenë dramën e Sami Frashërit “Besa”. Shfaqja, e cila u dha tre herë për publikun elbasanas, që e pëlqeu shumë jo vetëm nismën e grupit që vuri në skenë dramën, por edhe për lojën e aktorëve e veçanërisht për problematikën e kohës, që trajtonte drama.
Falë punës intensive që u krye dhe pasionit të madh që kishin vetë aktorët, më 14 gusht u vunë në skenë dy komeditë e autorit Kristo Floqi. E para mbante titullin “Dhëndërr me përdhunë” dhe e dyta titullohej “Bija e Bankierit”.

Aktivitete të shumta të trupës taetrore tërhoqën vëmendjen e opinionit artistik të Elbasanit e më gjerë. Trupa e Teatrit do të merrte përmasa të mëdha edhe pas ndërtimit të Teatrit, i cili mblodhi artistë të rinj, dhe që çdo javë dilnin në skenë me estrada, humore për publikun elbasanas. Teatri është krijuar zyrtarisht në 16 korrik të vitit 1962 dhe ka një kapacitet prej 292 vendesh. Premiera e parë u vu në skenë në 28 tetor të po atij viti. Trupa e teatrit “Skampa” ka vënë në skenë dramën “Shtatë Shaljanët” dhe komedinë “Njeriu që pa vdekjen me sy”, të dramaturgut rumun me origjinë shqiptare Viktor Eftimiu. Komedia, me regji të Lec Shllakut, e cila u vu në skenë në vitin 1970, u ndoq nga afër nga dramaturgu Eftimiu, i cili vlerësoi lojën e aktorëve në përgjithësi, sidomos interpretimin e aktorëve Shpëtim Shmili, Robert Ndrenika dhe Haxhi Sejko.

Deri në vitet 1980 trupa profesioniste e teatrit “Skampa” vuri në skenë mbi 30 drama e komedi, mes të cilave dhe shfaqjen “Familja e peshkatarit”, e cilësuar si një ndër më të sukseshmet. Të mirëpritura nga artdashësit kanë qenë dhe shfaqjet “Shërbëtori i dy zotërinjve”, “Dy krisma në Paris”, “Engjëjt e skëterrës”, “Turneu”, “Nepërka”, të cilat mbajnë ‘vulën’ e këtij teatri. Ata që kanë interpretuar janë nderuar me tituj të lartë si “Artist i Popullit”, “Artist i merituar”,”Aleksandër Moisiu’, etj. Ndërsa në historinë e saj 60 vjeçare numërohen rreth 300 premiera të autorëve shqipëtarë dhe të huaj. Nga ky teatër kanë dalë aktorë të shquar të lauruar me tituj të lartë si ” Artist i Popullit”, ” Artist i merituar” ” Aleksandër Moisiu’, etj. Aktorët e parë profesionistë u morën nga grupet teatrore amatore.

Një zjarr i rastësishëm që shpërtheu në muajin Gusht të një viti më parë rrafshoi skenën e teatrit ” Skampa” në kuintat e së cilës breza të tërë aktorësh skenografësh e regjizorësh patën shfaqur cilësitë e tyre më të mira. Në ato ditë të shqetësuara për mbarë qytetin ku flakët u përhapën me ” egërsi” në trarët e këtij teatri vumë re lotë në sytë e rrudhosur të veteranit të kësaj skene dhe njeherësh aktorit të njohur të kinematografisë Demir Hyskja, e si ai edhe shumë të tjerëve. Por vetëm tre muaj më pas “La Scala” e Elbasanit, me akustikën më të mirë në Shqipëri, u rindërtua. Kryetari i bashkisë Qazim Sejdini premtoi se ajo do të rindërtohej shpejt me ndihmën edhe të “Sigal”, ku bashkia prej pesë vitesh e kishte siguruar në këtë kompani.(LajmeShqip.com)