Lajme Shqip Friday, 04 November 2011 17:15

Tiranë  – Kultura vjeneze do të vijë në Tiranë, nga datat 6-12 nëntor, mes Festivalit Mozaik që sjell një sërë aktivitetesh të artit pamor, muzikës e teatrit.

Festivali do të çelet me koncertin e instrumentistëve, Johannes Marian dhe Emi Alicka-Ebhardt, në 6 nëntor, ora 19:00 në sallën Black Box të Akademisë së Arteve. Në vazhdim të aktiviteteve, një ekspozitë do të çelet në një vend të pazakontë. Në oborrin e Galerisë Kombëtare të Arteve është vendosur një shtëpi metalike, e quajtur “shtëpia njëdhomëshe”, një instalacion i artistit gjerman, Philipp Morlock.

Në 8 nëntor aty do të hapet ekspozita “Long Live Albanistan!” shoqëruar nga një diskutim me artistët pjesëmarrës Alketa Xhafa, Heldi Pema dhe Shpend Bengu, ndërsa në 10 nëntor do të prezantohet ekspozita  “Ngjyra, ëndrra dhe konflikte” e artistëve Myriam Holme, Skafte Kuhn dhe e Philipp Morlock. Ky i fundit është fituesi i disa çmimeve dhe bursave në fushën e arteve të bukura dhe aktualisht është në udhëtim me “shtëpinë e tij”. Shtëpia me tavan prej xhami dhe dysheme prej druri ka një javë që ka përfunduar dhe qëndron para Galerisë së Arteve.

Gjatë ditëve të Festivalit Mozaik, nën drejtimin e piktores vjeneze, Marie Alice Sorieul organizohen në Akademinë e Arteve disa kurse me studentë të arteve figurative, dramës dhe muzikës.