Lajme Shqip Wednesday, 31 October 2012 15:31

Preshevë – Në Preshevë prej sot kanë nisur “Ditët e Komedisë Shqiptare” një festival i organizuar nga Komuna e Preshevës me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar.

Sipari i festivalit do të hapet sonte me shfaqjen “Nata e Dymbëdhjetë” nga Teatri Kombëtar i Kosovës.

Në shfaqje luajnë: Shkelzen Veseli, Teuta Krasniqi, Driada Matoshi, Eshref Durmishi, Ard Islami, Ylber Bardhi, Adrian Morina, Edona Rreshitaj, Lulzim Guhelli, Besnik Krapi, Armend Ismajli, Armend Baloku, Shpejtim Kastrati, Genta Retkoceri, ndërsa regjia nga Ilir Bokoshi, etj.

Nata e dytë e festivalit vijon me shfaqjen “Darka Private” nga teatri “Istref Begolli” i Pejës. Autor i shfaqjes “Darka Private” është Peter Shafer dhe regjia e Burbuqe Berishës, asistent regjie Valter Lucaj, kompozitor Trimor Dhomi, skenografia Petrit Bakalli, kostumografe Elvina Berberi, koreograf Sinan Kajtazi dhe e ka perkthyer nga aglishtja  Shkëlzen Berisha.

Interpretojnë Armend Ismajli, Teuta Krasniqi dhe Ylber Bardhi.
“Darka Private” në krahasim me veprat e tjera të Peter Shafer, ritmikisht ka një rrjedhë tjetër ku dinamika është më pak e rregullt, por ku kthesat dramatike plot befasi mbajnë publikun në skaj të karrikeve.

Në netët e tjera vijojnë shfaqjet nga Teatri Profesionist i Mitrovicës, Teatri Shqiptar i Shkupit, Teatri Dodona, Teatri Metropol i Tiranës, Teatri Kombëtar nga Tirana si dhe Teatri Bylis nga Fieri. Organizatorët e festivalit theksuan se qytetarët e komunave të Luginës së Preshevës dhe trevat e tjera do të mund të shijojnë deri më 7 nëntor shfaqjet që i ofrojnë teatrot më prestigjoze shqiptare në rajon, përmes shfaqjeve të komedisë.(LajmeShqip.com)