Lajme Shqip Wednesday, 09 November 2011 09:45

Tiranë – Diabeti, një sëmundje e cilësuar “e ëmbël” dhe e heshtur, është sot një nga kërcënimet më të mëdha të shëndetit publik. Por, sipas mjekëve, më shqetësuese është se gjysma e diabetikëve nuk e dinë se janë me diabet. Kjo, sipas mjekëve, pasi për shumë vite diabeti nuk ka shenja shqetësuese.

Ndërkohë, edukimi dhe informimi i popullatës është pjesë e pandarë e punës së përditshme të strukturave shëndetësore për të bërë të mundur parandalimin dhe për të patur cilësi jete për të gjithë popullatën. Sot, në Shqipëri janë rreth 40 mijë persona të prekur të diagnostikuar nga kjo sëmundje, por shifrat mund të jenë 3-4 herë më të larta. Shifrat në botë janë alarmante, sidomos për diabetin tip 2, i cili është i lidhur ngushtësisht me mënyrën e jetesës.

Shifrat e të prekurve nga diabeti janë në rritje vazhdimisht, kjo për shkak të ndryshimit të stilit të jetesës, ku njerëzit lëvizin më pak, hanë më mirë, dhe marrja e shumë kalorive dhe mos harxhimi i tyre çon në obezitet, që është ai që shpërthen diabetin tip 2″.

Diabeti tip 2 është sëmundja që kap më shumë se 90 % të rasteve dhe ka ndërlikime komplekse, si kardiovaskulare dhe nervore.  Para viteve ’90, prevalenca e diabetit ishte rreth 0.8 % në vend, ndërsa një depistim në Tiranë në 2005 tregoi për prevalencë në shifrat 3.5 %. Grupmosha më e prekur nga diabeti tip 2 është 40-60 vjeç, ndërsa diabeti tip 1 kap grupmoshat më pak se 30 vjeç.

Sipas specialistëve, rrezikojnë për diabet të gjithë personat që paraqesin obezitet dhe mbipeshë, mungesë të aktivitetit fizik, ushqyerje jo të shëndetshme, trashëgimi për diabet në familje, sasi të lartë kolesteroli në gjak, moshë të madhe, gratë me diabet gjatë barrës apo që kanë lindur fëmijë me peshë të madhe.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vitin 2008 në botë ishin 246 milionë diabetikë, shifër kjo që parashikohet të arrijë në 370 milionë në vitin 2030.