Lajme Shqip Wednesday, 26 September 2012 18:22

Tiranë – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani dhe Zonja e Parë, Odeta Nishani, në Nju-Jork patën një takim të veçantë kortezie me aktorin e famshëm të Hollivud-it, Robert De Niro.    

Gjatë bashkëbisedimit të përzemërt, aktori i madh u interesua shumë për zhvillimet në Shqipëri dhe veçanërisht në fushën e kinematografisë.

De Niro, në përgjigje të ftesës së Presidentit Nishani, u shpreh se dëshiron ta vizitojë Shqipërinë në një moment të afërt në përshtatje me agjendën e tij.

Pas takimit me Presidentin Nishani, Robert De Niro, në një prononcim për mediat, tha se u “ndje i nderuar që takoi Presidentin dhe do të shkoj në Shqipëri. Vetëm se do të më duhet të caktoj një kohë të përshtatshme, pasi dëshiroj shumë që të shkoj dhe të vizitoj Shqipërinë”.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ndodhet në Nju-Jork, në kuadër të pjesëmarrjes në sesionin e 67-të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. (LajmeShqip.com)