Lajme Shqip Saturday, 19 March 2011 17:04

Shkodër – Në kuadrin e festimeve të “Pranverës së Frankofonisë”, departamenti i gjuhës frenge të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, Aleanca Franceze në këtë qytet, në bashkëpunim me biblioteken “Marin Barleti”, organizuan në mjediset e kësaj biblioteke një aktivitet mbi tematikën e solidaritetit njerëzor, i cili përkon edhe me sloganin e frankofonisë së këtij viti.

Ambasadorja e Francës në Shqipëri, znj. Maryse Daviet, e konsideroi një kënaqësi të veçantë pjesëmarrjen e saj mes studentëve dhe pedagogëve shkodranë. “Natyrisht që është një detyrë dhe privilegj që të jem në Shkodër, që është një qytet i mrekullueshëm, ku ekziston një harmoni fetare, një qytet i cili është një pikë kontakti midis traditave shqiptare dhe vendeve të huaja”.

Duke folur për solidaritetin, si sllogan i “Pranverës së Frankofonisë” për këtë vit, Ambasadorja Daviet tha se “solidariteti është ëndërr për një paqe të përgjithshme, ndaj duhet t’u themi  stop fenomeneve të tilla, si dhuna dhe hakmarrja, stop dhunës kundër femrave dhe të ecim përpara”.

“Unë ju ftoj në këtë kuadër që të jeni shumë pragmatikë dhe konkretë, t’i shikoni fenomenet e jetes ashtu siç janë, të votoni për të mirën e këtij vendi”, shtoi ajo. Ndërkohë, duke nënvizuar rolin e femrës, ajo u shpreh se “duke përfituar nga fakti i të qënurit një femër, them sërishmi “stop dhunës ndaj femrave, aq më tepër, një “po” e fortë për përfshirjen e grave në jetën shoqërore dhe politike”.

Ambasadorja e Francës në Shqipëri, znj. Maryse Daviet, e shoqëruar nga nxënësit dhe mësuesit e tyre, vizitoi nga afër punimet e ndryshme të paraqitura në pikturë, skulpturë, fotografi, apo krijime artistike të realizuara nga studentët e gjuhës frenge, nxënësit e shkollave “Shejnaze Juka”, “28 Nëntori”, “Ismail Qemali”, “Prenk Jakova”, etj.

Pjesë e aktivitetit ishte edhe një ekspozitë e librave në gjuhën frenge, pjesë e fondit të albanologjisë të bibliotekes “Marin Barleti”, dëshmi e lidhjeve të hershme midis dy vendeve.

Në përfundim të aktivitetit, zonja Dhurata Hoxha, drejtore e Aleancës Franceze në Shkodër, vuri në dukje përkushtimin e mësuesve të gjuhës frenge në organizimin e këtij aktiviteti, ndërkohë që falenderoi nxënësit dhe studentët për mesazhet e transmetuara nëpërmjet punimeve të tyre, të cilat u vlerësuan edhe me çmime.