Lajme Shqip Wednesday, 26 December 2012 15:21

Tiranë – Shtëpia Botuese ICTS Media nxori në treg edicionin special në lëmin e teknologjisë, revistën periodike COMPUTERWORLD Albania.

Ky numër jubilar, i cili doli në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ka 100 faqe materiale, të shtypura në format modern, shumëngjyrësh dhe të ilustruar.

Tematika qendrore e këtij edicioni është “Shqiptarët dhe teknologjia nëpër shekuj”.

Botimi përmban tema të ndryshme, intervista me personalitete të shquara nga bota e teknologjisë ndër shqiptarë dhe opinione e informacione të shumta rreth trendeve më të fundit teknologjike në botë.

I ndarë në disa kapituj, si: Teknologjia e Informacionit, Teknologjia e Komunikacionit; Teknologjia e Bankës; Teknologjia e Medias; Arti dhe Teknologjia; Shqiptarët dhe trendet e fundit dhe Bota dhe trendet e fundit, ky numër special i COMPUTERWORLD Albania, sjell material të bollshme, që nga fillimet e teknologjisë ndër shqiptarë, që datojnë tre shekuj më herët, e deri te prezantimi i emrave të mëdhenj shqip, që po lënë gjurmë dhe po bëjnë revolucion në fushën e teknologjisë në botë, sidomos në atë të teknologjisë informative dhe asaj të telekomunikacionit.

Revista periodike inovative për teknologji, informacion dhe komunikim, COMPUTERWORLD Albania, ka startuar me shtrirje në pjesën më të madhe të pikave të shitjes në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe shumë shpejt do të jetë në duart e të gjithëve, kudo nëpër hapsirën mbarëshqiptare, si dhe në Evropë, SHBA e vende të tjera.

COMPUTERWORLD Albania është botim i parë i një natyre të tillë në median shqiptare, në fushën e teknologjisë. Ky është veç një fillim i mbarë në botën e teknologjisë së medias i cili synon të jetë bindshëm forum i kësaj fushe për të gjithë shqiptarët, të cilët tre shekuj më parë ishin shumë përpara të tjerëve në fushën e teknologjisë. (LajmeShqip.com)