Lajme Shqip Tuesday, 22 November 2011 14:08

Botoks (toksina e botulinumit), është një toksinë e cila prodhohet  nga bakteria Clostridium botulinum. Botoksi bllokon lëshimin e molekulave që bëjnë të mundur komunikimin ndërmjet qelizave nervore, si dhe bllokon komunikimin e organeve përkatëse me këto qeliza.

Ky mekanizëm  ndalon ose zvogëlon funksionin e organit. Në kirurgjinë plastike përdoret me qëllim pёr tё zvogёluar rrudhat e krijuara nga muskujt e mimikës në sipërfaqen e fytyrës, si dhe pёr të zvogëluar djersitjen e disa pjesëve të trupit.

Funksioni i muskujve të mimikës, gjatё viteve, bën që rrudhat në sipërfaqen e lëkurës të bëhen më të dukshme dhe në fytyrë të dalin vizat dinamike. Kёto viza dinamike shfaqen më tepër në ballë, midis vetullave, rreth syve dhe rreth gojës. Rrudhat në ballë dhe rreth syve të japin imazhin e njё moshe tё madhe, tё plakur, ndёrsa rrudhat midis vetullave të bëjnë të dukesh  i nevrikosur. Duke përdorur botoks zvogёlohet levizja në muskujt e mimikës e cila bën të mundur që lëkura që vesh këto muskuj të mos tendoset si zakonisht. Vizat e krijuara nga lëvizja e muskujve si dhe nga palosja e tyre zhduken. Kështu bëhet i mundur drejtimi (‘riparimi’) i një fytyre që duket e moshuar dhe e nevrikosur.

Botoksi injektohet dhe është një proçedurë që nuk ka nevojë për anestezi, por gjatë injektimit mund të shkaktojë dhimbje të vogla. Për zvogëlimin e lëvizjeve të muskujve injektohet brenda muskujve, kurse për zvogëlimin e djersitjes brenda në lëkurë. Efekti i botoksit fillon brenda javës dhe efektiviteti i tij zgjat nga 3, deri nё 9 muaj, ose  mesatarisht 6 muaj. Pas mbarimit të efektit të botoksit përdorimi i tij mund të përsëritet. Tek njerëzit që përdorin për dy vjet rregullisht botoksin është vënë re zvogëlimi i forcës së muskujve dhe mund të ketë ndryshim në shprehje të fytyrës. Prandaj pas vitit të 2-të të përdorimit të botoksit duhet që ripërdorimet i tij të bëhen në periudha më të gjata kohe.Gjithashtu botoksi pёrdoret edhe pёr bllokimin e qelizave tё djersёs, duke bllokuar komunikimin e qelizave nervore me qelizat e gjendrës, zvogёlohet djersitja. Pjesët e trupit që djersisin më tepër janë sqetulla dhe pëllëmba e dorës. Shumë njerëz që ankohen për djersitjen në masë dhe erën e saj kanë qenë të kenaqur pas përdorimit të botoksit në këto zona.

Botoksi nuk ka ndonjë efekt serioz mbi shëndetin e përgjithshëm. Pas përdorimit mund të ketë një fryrje të përkohshme, nxirje të lëkurës dhe rrallë rënie e kapakut të syrit. 
Nuk dihet nëse botoksi ka ndonjë efekt anësor në femrat shtatzëna apo tё atyre që japin gji. Prandaj nuk këshillohet përdorimi i tij në këto raste.  Gjithashtu, ai  nuk përdoret në personat që kanë sëmundje të Sistemit lokomotor (si Sindroma Eaton-Lambert, Myastenia gravis). (LajmeShqip.com)