Lajme Shqip Saturday, 12 November 2011 09:03

Sarandë – Sezoni turistik në Parkun Kombëtar të Butrintit po shkon drejt mbylljes dhe të dhënat flasin për një rritje të dukshme të prurjeve turistike. Rajmond Kola, drejtori i Parkut Kombëtar, tha sot se numri i vizitorëve me biletë po shkon këtë vit në rreth 70 mijë dhe se krahasuar me vitet e tjera vihet re një diferencë e dukshme.

“Nëse i referohemi vitit 2010, ky numër ishte rreth 48 mijë vizitorë, kundrejt rreth 37 mijë më 2009” , tha Kola, sipas të cilit, këtu nuk përfshihen disa mijëra studentë dhe nxënës që këtë vit kanë hyrë falas në Butrint dhe numri shkon në rreth 85 mijë.

Kola thekson se numri i vizitorëve britanikë zë vendin kryesor në prurjen turistike të 2011. “Risi e këtij viti është edhe interesimi i agjencive turistike polake për të sjellë më shumë vizitorë në Butrint. Nga ana tjetër, të dhënat flasin për një rënie të vizitorëve grekë. Madje edhe udhëtimi i turistëve të huaj nga ishulli grek i Korfuzit drejt Sarandës, këtë vit është në një shifër më të ulët, duke reflektuar situatën e krizës që ka mbërthyer Greqinë, pa përjashtuar edhe ndikimin e problemeve të shfaqura me linjat detare në ishullin grek dhe me ndërprerjet e shpeshta të punës në doganat e pikat kufitare në anën greke”, nënvizon Kola.

Ai shtoi se tashmë ka nisur përgatitja e guidës “Profili Turistik”, qe do të sjellë jo vetëm një analizë të plotë të të gjithë treguesve, por edhe do të projektojë synimet për sezonin e ardhshëm. “Prirja është që Butrinti, vitin  e ardhshëm, të prekë fluksin e 100 mijë vizitorëve”, përfundoi Kola.