Lajme Shqip Thursday, 29 November 2012 17:36

Londër – Veprimtaritë dhe festimet e komunitetit shqiptar, me rastin e 100-vjetorit, kulmuan sot me vendosjen në Londër të bustit të Heroit Kombëtar, Skënderbeut, në një nga parqet e lagjes Bayswater.

Rreth 1000 shqiptarë ishin të pranishëm në këtë moment historik, ku në zemër të kryeqyetit britanik tanimë do të jetë edhe busti i simbolit të kombit dhe i një nga mbrojtësve të paepur të civilizmit botëror.

Vendosja e këtij busti është frut i një pune intensive disa mujore e Ambasadës Shqiptare në Londër, Këshillit të lagjes Westminster, që mbulon qendrën e Londrës, e ndihmuar intensivisht nga miku i dëshmuar i Shqipërisë, zoti David Lloyd.

Skulptura është vepër e artistit tashmë të njohur, autor i statujës së Skënderbeut në Cleveland, i statujës së Mbretit Zog I në Tiranë apo edhe monumentit të Skënderbeut në Michigan, Kreshnik Xhiku.

Kjo vepër është financuar e tëra nga Qeveria shqiptare. Në fjalën e tij në këtë ceremoni, kryedimplomati shqiptar në Londër, Mal Berisha, u kërkoi shqiptarëve të Britanisë së Madhe, që ta njohin këtë vend si tempullin e nderit, identitetit dhe krenarisë kombëtare dhe vendin, që ta vizitojnë në cdo gëzim familjar dhe kombëtar.

Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë janë organizuar shumë aktivitete në Londër dhe mbarë ishullin, ndërkohë që më 29 nëntor do të zhvillohet edhe një seminar në Ministrinë e Jashtme britanike, Foreign Office, me rastin e festës kombëtare të Shqipërisë. (LajmeShqip.com)