Lajme Shqip Wednesday, 16 September 2015 18:50

Filmi që nëpërmjet personazhit kryesor shpërfaq historinë për traditën e burrneshave shqiptare, do të shpaloset në ekranet e tri kinemave franceze.

“Burrneshat” me regji të Laura Bispurit, i bazuar në romanin e shkrimtares shqiptare Elvira Dones, më 17 të këtij muaji do të shfaqet në kinemanë parisiene “Cinema Le Louxor”. Kinemaja që tashmë në ueb faqen zyrtare e ka lansuar paralajmërimin për shfaqjen e filmit i cili në mesin e shteteve bashkëprodhuese e ka edhe Kosovën, është dizajnuar nga arkitekti Henri Zipcy dhe ishte inauguruar në tetor të vitit 1921, shkruan sot Koha Ditore.

Objekti është pjesë e listës me monumente historike. Dy ditë premierë në këtë kinema, filmi do të shfaqet në kinemanë e qytetit Montereau, derisa më datë 21 do të ketë premierën në kinemanë parisiene “UGC Orient Express”. Premierën në këtë kinema e ka organizuar distributori francez i filmit “Burrneshat” (me titull origjinal “Sworn Virgin”), “Pritty Pictures”.

Aktorja kosovare Ilire Vinca – e cila bashkë me Luan Jahën janë aktorët e vetëm nga Kosova që luajnë në këtë film – ka thënë se filmi po vazhdon rrugëtimin e vet të suksesshëm.

“Më bën të ndihem mirë që jam pjesë e këtij filmi që trajton një temë unike që në film merr një dimension të thellë të kërkimit të lirisë individuale në shoqëritë ku tradita bën trysninë e vetë e që sakrifica e të qenit e lirë e jep një tablo të bukur të përjetimit”, ka thënë Vinca. Filmi shpalos rrëfimin për Hana Dodën (që luhet nga aktorja italiane Alba Rohrwacher), e cila braktis fatin e vet për të qenë thjesht një bashkëshorte dhe shërbëtore, e ardhme e detyruar për gratë në malet e ashpra të Shqipërisë. Duke ndjekur udhëzimet e ungjit të vet, i bindet ligjit tё vjetër të Kanunit, i cili u jep grave mundësi për të jetuar të lirë si burrat dhe për të pasur një pushkë, duke marrë në kёmbim betimin e virgjërisë së përjetshme. Për të gjithë Hana – Marku, bëhet një “virgjëreshë e përbetuar”. Por një udhëtim drejt Italisë do t’ia ndryshojë përgjithmonë fatin.

Vinca ka thënë se “Burrneshat”, ani pse bazohet në një temë shqiptare, komunikon mirë me audiencën kudo që shfaqet.

“Është një film që komunikon në mënyrë universale, sepse të qenit e lirë dhe kërkimi i pafund i rigjetjes së vetes është gjithashtu temë që bashkon historitë e njerëzimit”, ka thënë ajo.

Filmi “Burrneshat” është fitues i çmimi “New Directos Prize” në edicionin e 58-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në San Francisco. Në festivalin prestigjioz amerikan “Tribeca Film Festival” ka marrë çmimin “The Nora Ephron Prize”. Ky çmim, për filmin në të cilin Kosova ka investuar 50 mijë euro, kishte ardhur pas “Firebird Award”, në garën e filmbërësve të rinj të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Hong-Kong. Në Romë, filmi ka marrë çmimin “The International Critic Prize” (Çmimin Ndërkombëtar të Kritikës) që i është ndarë nga Federata Ndërkombëtare e Kritikëve të Filmit. “Burrneshat” – në bashkëfinancimin e të cilit Kosova u është bashkuar Shqipërisë, Gjermanisë, Italisë e Zvicrës – ka pasur premierën në shkurt të vitit të kaluar në festivalin prestigjioz Berlinale, ku ka qenë në garë për “Ariun e Artë”. Në Prishtinë, filmi i Bispurit ishte dhënë premierë në maj në sheshin “Zahir Pajaziti”, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Evropës.