Kthimi i burgut të Spaçit në muze së shpejti nuk do të jetë vetëm një projekt në letër. Projekti i propozuar prej kohësh, i cili ishte harruar për shkak të mungesës së fondeve për restaurimin dhe kthimin e tij në ambient të vizitueshme nga qytetarët, do të vihet në jetë.
Instituti për Krimet e Luftës është institucioni, i cili i bën thirrje qeverisë por edhe donatorëve që të mundësojnë financat e nevojshme për restaurimin e ambienteve të burgut të Spaçit, raporton Shekulli.
Sipas këtij institucioni, tashmë ka nisur projekti për zbatimin e tij, por e vetmja pengesë janë fondet.
Historia
Burgu i Spaçit ishte një burg politik i sigurisë së lartë, që ishte aktiv gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Burgu gjendet në fshatin Spaç.
Burgu i Spaçit renditet aktualisht si monument kombëtar i kategorisë së dytë.
Në vitin 1973 në burgun e Spaçit pati një rebelim të të burgosurve, të cilët arritën të ngrinin një flamur jo-komunist. Një rebelim i ngjashëm u krye edhe në Burgun e Qafë Barit në vitin 1984, ku shpërthyen të njëjtat dufe e u ngritën kërkesa e dëshira për liri, që u shtypën njëlloj me dhunë e gjak.
Në burgun e Spaçit kanë vuajtur dënimet politike disa intelektualë të famshëm, ndër të cilët edhe Fatos Lubonja.