Lajme Shqip Monday, 26 March 2012 08:30

Tiranë – Bashkësia Kulturore e shqiptarëve të Rumanisë dhe redaksia e revistës “Albanezul/Shqiptari”, në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë, organizuan në Bukuresht tryezën e miqësisë rumuno-shqiptare, ku u prezantuan librat “Kosova letrare” e Monica Muresan-it dhe vëllimi “Definicione” i poetit Mihai Pascaru.

Në takim, ku merrnin pjesë shkrimtarë, poetë, eseistë, krijues të dy palëve, shqiptarë dhe rumunë, përshëndeti dhe ambasadori i Shqipërisë në Bukuresht, Dr. Luan Topçiu, kontribuues i dalluar për afirmimin e kulturës shqiptare në Rumani, ku jeton një popullsi e vjetër me origjinë shqiptare.

Me këtë rast, u njoftua botimi më i ri i monografisë “Berisha dhe Shqipëria demokratike”, shkruar nga Fahri Balliu, botim nga Shtëpia Botuese “Leda/Corint”, përkthyer në gjuhën rumune nga Tiberius Puiu.

Në mbrëmjen letrare aktorë profesionistë recituan poezi shqiptare dhe rumune, u prezantuan numra të revistave “Shqiptari/Albanezul” dhe “Kosova” si dhe libra të ndryshëm, shkruar nga autorë shqiptarë dhe rumunë. I ftuari i Nderit, historiani Dr. Xhelku Maksuti, foli për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe rolin e komunitetit shqiptar të Rumanisë, si një pikënisje e vyer për arritjen e saj.

Monika Muresan u ndal tek vlerat e poezive në botimin “Definicione” të shkrimtarit M. Pascaru, ndërsa poeti Nicolae Grigore Marashanu u ndal në rëndësinë e ngritjes së bustit të Naum Veqilharxhit në Brailë, etj. Sopranja  shqiptare  Arlinda Morava interpretoi këngën lirike arbëreshe “Moj e bukura More”.

Ambasadori i Shqipërisë, Dr. Luan Topçiu, paraqiti marrëdhëniet kulturore mes dy popujve, afirmimin e kulturës shqiptare në gjuhën rumune dhe përgëzoi shkrimtarët që ndihmojnë për njohjen reciproke të kulturave të dy vendeve, dialogun kulturor.

Ai vlerësoi Monica Muresan për botimin me studime për autorët kosovarë, poetin dhe përkthyesin Baki Ymeri në krijimin e dialogut midis dy kulturave, etj.