Lajme Shqip Saturday, 21 April 2012 17:00

Tiranë – Libra të rinj të autorëve shqiptarë e të huaj janë botuar këtë javë, duke iu shtuar stendave të librarive në kryeqytet.

“Emri i trëndafilit” nga Umberto Eco. Vepra më e njohur letrare e Ecos vjen e ribotuar në shqip në një botim të riparë e të përpunuar pas 32 vjetësh nga vetë autori. Romani është ripunuar me kujdes, është ndryshuar, plotësuar, por edhe lehtësuar nga disa situata që, pas kaq kohësh, autori gjykoi t’i përmirësonte, nga disa citime në latinisht, që për lexuesin e zakonshëm ishin një shkëmb i vështirë për t’u kacavjerrë. Kjo vepër, e konsideruar si një prej 10 romaneve më të mira të shekullit të kaluar, me rreth 30 milionë kopje të shitura në të gjithë botën, është botuar nga shtëpia botuese “Dituria” dhe kushton 1500 lekë.

“Magjistricat e Firences” nga Salman Rushdie. Ky libër është historia e një gruaje që përpiqet të marrë në dorë frerët e fatit të saj në një botë të drejtuar nga meshkujt. Në të bashkohen dy qytete, që thuajse nuk janë në dijeni të ekzistencës së njëri-tjetrit. Këta janë kryeqyteti qejfdashës mongol, ku mendja e shkëlqyer e perandorit merret përditë me çështje të fesë, dëshirës dhe tradhtisë së të bijve, si dhe Firencja po aq sensuale, me botën e fuqishme të kurtizaneve, filozofinë humaniste dhe torturat çnjerëzore të saj. Libri është botuar nga “Dudaj” dhe kushton 1400 lekë.

“Shqipëria 1943-1945” nga Bernd Fischer. Ky është libri më i fundit që propozon historiani amerikan Bernd Fisher, i cili bazohet në dy dokumentet që botohen për herë të parë, raporti final i Vermahtit dhe raporti i përfaqësuesit të misionit amerikan në Shqipëri. Për vetë autorin, ky studim për periudhën para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore merr më shumë rëndësi, nga fakti se vendimet e këtyre viteve ndikuan në zhvillimet e 50 viteve të tjera në Shqipëri. Sipas tij, mes gjithë dokumenteve të huaja për Shqipërinë, ato gjermane dhe britanike, sipas Fischer janë më të dobishme dhe më të besueshme. Libri është botuar nga “AIIS” dhe kushton 1500 lekë. (LajmeSHqip.com)