Lajme Shqip Sunday, 10 April 2011 14:31

Tiranë – Solistët e Ansamblit Popullor interpretuan mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit valle nga krijimtaria e koreografit Besim Jazexhiu, të realizuara ndër vite.

Solistët e Ansamblit Popullor interpretuan në koncertin “Me valle në këtë fillim pranvere” disa nga vallet e njohura të folklorit shqiptar si “Na kërcen dhe maja e gishtit”, “Në sarajet e Ali Pashait”, Valle Arbëreshe, “Ra Faja prej fiku” , “Valle Myzeqare” etj.

Koreografi Jazexhiu, në një prononcim për mediat, tha se koncerti solli valle nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, vallet më të bukura ndër vite, të cilat janë mirëpritur gjithmonë nga publiku.

Në këtë koncert morën pjesë edhe Ansambli Koral, grupi i valleve dhe orkestra e Ansamblit, ndërkohë që korepetitor ishte Rexhep Çeliku, drejtues i korit Gramoz Burba dhe dirigjent Vladimir Hasimi.

Krijimtaria e Jazexhiut  ndër vite ka në qendër fabula, të cilat i japin interes të veçantë valleve të tij si dhe trajton me shumë kujdes elementët e veçantë të folklorit të zonës.

Mjeshtri i Ansamblit të Valleve ka filluar punë në vitin 1961 si balerin në TKOB dhe që prej atëhere ka krijuar personazhe në balete të ndryshme si “Halili dhe Hajria”, “Delina”, “Laurenca”, “Fadeta”, “Sherazadja”, “Petja dhe Ujku”, etj.

Në vitin 1965 Jazexhiu fillon punë si solist në Ansamblin e Ushtrisë dhe më pas nga viti 1968 bëhet solist në Ansamblin Popullor. Pas viteve ’90, kontributi i tij shtrihet dhe në Kosovë e Maqedoni dhe për vlerat e krijimtarisë së tij është nderuar nga Kuvendi i Shqipërisë me medaljen “Naim Frashëri” i parë.

Kjo është hera e dytë për këtë vit që Anasmbli Popullor rikthen traditën dhe kulturën shqiptare pas koncertit recital të valltares Liljana Cingu në muajin shkurt.