Kanë – Regjisori italian Bernardo Bertoluçi mbrëmë në Kanë e hapi Festivalin e 64-ët të Kanës, i cili filloi me shfaqjen e filmit “Mesnata në Paris”, me regji të Vudi Alenit.
“E shpall të hapur Festivalin e Kanës”, tha Bertoluçi në gjuhën italiane dhe franceze.
Disa minuta më vonë autorit të “Tangoja e fundit në Paris” dhe “Perandori i fundit kinez” iu nda Palma e Artë për vepër jetësore.
Çmimin e tij Bertoluçi ia kushtoi Vudi Alenit dhe aktorit hollivudian Robert de Niro, i cili sivjet kryeson me jurinë e festivalit të Kanës, si dhe të gjithë italianëve “të cilët akoma kanë fuqi dhe energji të luftojnë, kritikojnë dhe tregojnë urrejtje drejt padrejtësisë”.
Drejtuesja e ceremonisë në hapjen solemne të festivalit, aktorja franceze Melani Loran, në fjalimin e saj impresionues theksoi se po festohen “njëmbëdhjetë ditët të cilat vlejnë sa njëqind” të cilat Kanën e bëjnë kryeqendër të filmit botëror.
Kryetari i jurisë Robert de Niro u prit me duartrokitje të gjatë e glamuroze.
De Niro, në gjuhën franceze, premtoi se ai dhe juria e tij do të kryejnë punë të mirë.
Bashkë me De Niron, sivjet në juri janë edhe aktorët Uma Truman dhe Xhad Lo, regjisori nga Hong Kongu Xhoni To, producenti i filmit Shi Nansan etj., përkujtojnë mediat franceze.