Lajme Shqip Saturday, 05 November 2011 09:00

Tiranë-“Shqipëria” është romani i ri i Ben Blushit, një eksperiment njerëzor në përpjekje për të kuptuar atë që shqiptarët i kanë bërë vetes gjatë kohërave.    

Në promovimin e librit, pasditen e sotme në Hotel “Sheraton”, autori u shpreh se libri lindi si një nevojë për të shpjeguar dhe kuptuar shqiptarët, se si janë sjellë ata me veten, me njëri-tjetrin, me tokën, me Zotin.

“Libri nuk është historik, ndaj nuk është një detyrë, nuk është politik, ndaj nuk është torturë, ai është vetëm artistik, ndaj është vetëm një hartim”, tha Blushi.     

“Shqipëria” është një metaforë për Shqipërinë, e sjellë përmes një njeriu që dontë të zëvendësonte Zotin. Autori tregon se si shqiptarët i lejuan njërit prej tyre të bëhej Zoti i tyre, duke i ndarë nga bota, prona dhe familja. Po a ka ndodhur kjo në historinë tonë?. “Them se po, megjithëse romani nuk merret as me fakte, as me ngjarje, as me emra, por vetëm me gjurmën e ngjarjeve në tokën tonë”, tha Ben Blushi.   

Sipas autorit, kudo ku shqiptarët kanë jetuar nuk e kanë trajtuar njëri-tjetrin më keq se në Shqipëri dhe kudo ku kanë shkuar nuk e kanë trajtuar një vend tjetër me keq se Shqipërinë. “Problemet që ne kemi me veten nuk janë zhdukur dhe Shqipëria vuan akoma nga shqiptarët”, tha Blushi.    

Romani është historia e një njeriu, që u përpoq të zëvendësonte Zotin dhe sipas Blushit, kjo vjen pasi shqiptarët e kanë këtë delir sepse raporti i tyre me Zotin ka qënë shpesh kaotik. “Marrëdhënia  e shqiptarëve me Zotin shpjegon disa nga problemet tona sot”, tha ai.    

Dhe kur Blushi flet për Zotin, nuk e ka fjalën për qënien hyjnore, por për një numër normash dhe rregullash si liria, dashuria, paqja dhe besimi. Romani shpjegon se duke mohuar lirinë, dashurinë dhe besimin ndër shekuj, shqiptarët kanë mohuar Zotin.   

“Shqipëria” kërkon të thotë se Zoti mund të zëvendësohet, por jo nga një njeri. Në të kundërt mund të zëvendësohet nga çdo njeri që është Zot i vetes dhe i askujt përveç vetes”, tha Blushi. Romani nuk jep këshilla, por është një histori që duke e lexuar synon që të njohim veten.    

Shkrimtarja Diana Çuli e konsideroi romanin e ri të Blushit si një befasi letrare, një metaforë e madhe e krijimit të një Shqipërie utopike. “Libri është një krijim i pastër letrar që trajton tema ekzistencialiste, vepër artistike mbi botën e shqiptarëve, një vepër që e shtyn njeriun të shohë brenda vetes”, tha Çuli.    

Romanin e tij “Shqipëria” Ben Blushi ia ka besuar botimeve “MAPO”, një markë e re kjo në fushën e botimeve në vendin tonë. Henri Çili e cilësoi stilin e Blushit si një risi në botën kulturore dhe letrare që ka sjellë një shije të re në letërsi, që dukej e tronditur për shumë arsye sociale.

“Shqipëria” është romani i tretë i Ben Blushit, pas “Të jetosh në ishull” dhe “Otello, Arapi i Vlorës”. Të dy këta kanë ngjallur debate të shumta në vend, duke kapur njëkohësisht majat e shitjeve në vendin tonë.