Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 06:52

Gjirokastër – Bashkia e Gjirokastrës do të dëmshpërblejë familjen Rrapo, pronare e shtëpisë fqinje me shtëpinë e Kadaresë, për t’i hapur rrugë përfundimit të rikonstruksionit të shtëpisë të shkrimtarit të madh të letrave shqipe, ka deklaruar sot Flamur Bime, kryebashkiaku i qytetit të gurtë, në jug të vendit.

Sipas tij, godina dykatëshe e shkrimtarit Kadare do të përfundojë gjatë këtij vitit dhe do të përdoret si qendër multikulturore për artdashësit e tij.

“Jemi të gatshëm si pushtet vendorë të dëmshpërblejmë deri në qindarkën e fundit familjen Rrapo, pasi projekti cenon pronën private”, shtoi Bime.

Spartak Drasa, drejtori rajonal i kulturës kombëtare për qarkun e Gjirokastrës, ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të bashkisë së Gjirokastrës.

“Bashkia nuk ka të drejtë të dëmshpërblejë financiarisht me të ardhurat e taksapaguese, pasi këtë të drejtë e ka vetëm pushtetit qendror”, tha Drasa, ndërsa nënvizon se kryebashkiaku i qytetit po mundohet ta politizojë rikonstruksionin e shtëpisë së Kadaresë.

Shtëpia e Ismail Kadaresë ndodhet në lagjen Palorto të Gjirokastrës, në pjesën e sipërme të qytetit, në perëndim.

Banesa dykatëshe, që daton në vitin 1677, ishte lënë e harruar disa vite më parë, edhe edhe pse përbën një nga ndërtesat më me vlerë që mund të shfrytëzohej në të mirë të turizimit kulturor.

Faza e dytë dhe përmbyllëse e rikonstruksionit që ka nisur në fillim të muaj nëntor të vitit 2007, parashikon të gjitha punimeve të brendshme, me vlerë 80 mijë euro, të përfshira brenda shumës 1.3 milionë dollarë, të akorduar nga qeveria shqiptare e të administruara prej organizatës së mbrojtjes së trashëgimisë kulturore botërore, UNESCO.

Arkitekti gjirokastrit Agron Doraci, inxhinier zbatues i projektit, pohoi se ndryshe nga faza e parë, në fazën e dytë është parashikuar të ruhen të gjitha detajet që janë zbuluar gjatë rimëkëmbjes së banesës.

“Gjatë fazës së parë u zbuluan disa afreske të rëndësishme që vërteton historinë dhe vjetërsinë e ndërtesës, si harqet e kamares së çardakut dhe të hyrjes së shkallëve në pjesën ballore. Këto elementë detyruan komisionerët e UNESCO-s të ndërprisnin punimet, duke i thënë kohë të ndryshojnë projektin fillestar”, thotë Doraci.

Rreth 12 vjet më parë, si pasojë e një zjarri aksidental, shtëpia u shkrumbua. Në këtë banesë jetonin me qira prej dy dekadash dy familje gjirokastrite.

Tre muaj pas djegies, në fillim të vitit 2000, qeveria shqiptare akordoi 3.5 milionë lekëh për ringritjen  e banesës. Pavarësisht fondit punimet në këtë objekt nuk filluan asnjëherë.

Cilësia e punimeve deri tani është brenda standardeve të parashikuara nga projekti, ndërkohë struktura e çatisë është ndërtuar me dru gështenje, ka jetëgjatësi dhe është e cilësisë së parë.

Sipas projektit të Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë, ky investim do të shërbej si një qendër antraksioni, e cila do të japi jetë anës kulturore dhe një vend pelegrinazhi për artëdashësit e letrave shqipe.