Lajme Shqip Thursday, 01 September 2011 08:05

Tiranë – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi priti dje në selinë e tij në Tiranë aktoren  italiane me famë botërore Claudia Cardinale, e cila ndodhet në Shqipëri, si e ftuar nderi në edicionin e katërt të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, që po zhvillohet këto ditë në Durrës.

Presidenti Topi shprehu kënaqësinë e veçantë për këtë takim dhe vuri në dukje se vizita të kësaj natyre ilustrojnë jo vetëm marrëdhëniet miqësore e të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve dhe popujve tanë, por edhe vlerësimin për kulturën dhe artin në tërësi, si dhe për kinematografinë në veçanti.

Kreu i Shtetit shqiptar, duke vlerësuar interpretimet e spikatura e me nivel të lartë artistik të artistes së famshme e të mirënjohur botërisht, tha se interpretimet kinematografike përbëjnë një sferë të rëndësishme të shprehjes dhe të transmetimit të emocioneve e mesazheve edukuese tek njerëzit.

Nga ana e saj, aktorja Cardinale shprehu vlerësimet e saj më të mira për Shqipërinë, artin dhe artistët shqiptarë, duke nënvizuar njëkohësisht rëndësinë e zhvillimit të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, si një ngjarje artistike tradicionale që jo vetëm evidenton vlerat e fushës së kinematografisë, por kontribuon drejtpërdrejt në ndërtimin e urave kulturore dhe forcimin e lidhjeve artistike e shpirtërore mes popujve të ndryshëm.

Në këtë takim ishin të pranishëm Drejtoresha Artistike e Festivalit, Anila Varfi si dhe aktori Timo Flloko. Presidenti i vendit e uroi Kardinalen për marrjen e çmimit “Pjata e Argjendtë”, si dhe i dhuroi asaj, si një kujtim institucional, një figurinë artistike të shenjtores shqiptare me famë ndërkombëtare Nënë Terezës.