Lajme Shqip Sunday, 11 March 2012 23:38

Ne prag te festes pagane te “Dites se Veres”

Ballakumja, ose “Syri i Pranverës”, ka derdhur në shije historinë e një qyteti të lashtë si Elbasani dhe si e tillë ka thyer ëmbëlsisht çdo lloj rregulli a ligji, në rendje, deri në kontinentin e largët, Amerikë e Australi. Gatuhet dy apo tre ditë para festës pagane të Ditës së Verës, apo siç quhet ndryshe festës së luleve. Duket se më të zënë me punë në këto ditë janë furrëpjekësit, të cilët pjekin ballakumen, për të mos lënë mënjanë edhe dyqanet e ëmbëlsirave që tregëtojnë tradicionalen ballakume. 
Prej disa vitesh është shpallur festë kombëtare 14 Marsi, ” Dita e Verës”, por elbasanllinjtë e kanë traditë prej rreth një shekulli dhe e festojnë këtë ditë ndryshe nga qytetet e tjera të vendit. ” Mbretëreshë” e ditës së verës mbetet ballakumja, ëmbëlsira tradicionale dhe e papërsëritshme në asnjë qytet tjetër. Llogaritet mbi 500 mijë numri i ballakumeve që piqen nga amvisat elbasanase, pa shtuar këtu edhe kërkesat e shumta që vijnë nga rrethe të tjera.

Ballakumja eshte gatuar 500 vjet me pare

Olsi, trashëgimtari i mjeshtit të gatimit të ballakumes për rreth 50 vjet Agron Duka, vazhdon të ruajë traditën e babait të tij. Në dyqanin e tij në qendër të qytetit, është shumë e vështirë për të hyrë dhe bashkëbiseduar me të, pasi rradhët janë të gjata për të porositur ballakume, si dhe për të blerë këtë ëmbëlsirë. “Fluksi i kërkesave këtë vit është i madh, jo vetëm nga qytete të vendit, por edhe për t’i çuar jashtë shtetit deri në Amerikë”, thotë Olsi. Sipas tij, ëmbëlsira e ballakumes është gatuar 500 vjet më parë dhe kur ajo piqej në Zaranikë, era vinte në Stadium ( rreth 2 kilometra larg). 

“Gatimi i ballakumes është në kompleks, sepse në atë kohë para 100 vjetësh familjet bënin grumbullimin e lëndëve të para vetëm për ditën e verës, siç ishin arrat, gështenjat, mielli i misrit si dhe gjalpi i mirë. Edhe në atë kohë por edhe tani gjalpi i fshatit Polis, është më i miri për gatimin e ballakumeve dhe ravanisë, pasi fshati është një zonë malore dhe kullota është me trëndelinë, tërfil si dhe shumë lule aromatike”, shton ai.  Sipas Olsit, “hilja e e gatimit të ballakumes është gjalpi, e më pas është rrahja me dorë me lugë druri, dhe e fundit  marifeti i pjekjes. Revania dhe ballakumja, kanë tre faza, lënda e parë, mënyra e përpunimit si dhe pjekja”. 

Megjithëse të gjithë amvisat nga qytete të ndryshme të Shqipërisë kanë provuar që ta gatuajnë këtë ëmblësirë, ka qenë e pamundur që të arrijnë atë shije dhe aromë, ç’ka tregon se me të vërtetë kjo ëmblësirë mund të gatuhet vetëm në këtë qytet. Sipas gojëdhënave mësohet se në Elbasan, në fillim u prodhua revania, një lloj ëmblësire kjo karakteristike e ditës së verës e gatuar vetëm me miell misri, që gatuhet edhe në ditët e sotme. Shumë kohë më mbrapa mbas ravanisë, u krijua ballakumja, ku gatuhej vetëm nga banorët e rrethinave të Elbasanit Çemenikës, si dhe në trevat që e rrethojnë.

Ballakumja lindi pasi Dita e Verës, e donte patjetër një ëmblësirë të veçantë, pasi nata e verës festohet në shtëpi, dhe dita në natyrë, dhe sipas etnologut Thanas Meksi , ” duke e festuar në natyrë patjetër që duhej servirur një ëmblësirë, e për këtë qëllim, amvisat gatuan ballakumen, e cila i përshtatej më shumë kësaj feste”.
Meksi tregon se  “amvisat e Elbasanit para një shekulli e më pas, nuk mund të quheshin amvisa nëse nuk dinin recetën e ballakumes dhe ravanisë. ” Nënat tona kohët e fundit nuk i çoni ballakumet për t’i pjekur në furrë, shprehet etnologu Thanas Meksi, por i piqnin ato vetëm me saç që të mos i shikonte syri i ligë ose ” largë qofti’, sepse nëse i shikonin, ballakumet binin shpejt dhe bëheshin ” tuç”. 

Gatimi i ballakumes

Ishin të posaçme enët ( prej bakri) dhe mjetet e tjera të kësaj ëmbëlsire. Gjatë gatimit nuk përfliteshin, por thuheshin formula, ndryshe merrej në sysh ëmbëlsira.Çdo fazë e gatimit të revanisë e ballakumeve, tretja e gjalpit, rrahja me sheqerin, futja e vezëve dhe e miellit të misrit dhe pak të grurit, rrahja e vazhdueshme me lugë druri shoqërohej me thithje buzësh, që jepte një fishkëllimë karakteristike e cila largonte ” qoftëlargun”, thotë Meksi.
Ballakumja e Elbasanit ka një aromë dhe shije të veçantë në llojin e gatimit. Kuzhinieri Ramazan Rreshka, lëshon edhe recetën për të gjithë ato amvisa të reja që dëshirojnë ta gatuajnë këtë ëmbëlsirë në shtëpitë e tyre.
Ballakumja gatuhet dy llojesh, ballakume brumi që përgatitet me miell gruri e pak sheqer, si dhe ballakumja e sheqerit që në Elbasan është sinonimi i ” Ditës së Verës”. 
Ndërsa ballakumja e Ditës së Verës, gatuhet dhe e veçanta është se harxhet për të pergatiten në një tenxhere bakri. Mielli i misrit, veza, gjalpi i tretur, e pak finjë trazohen me lugë druri. Masa e fituar nga të rrahurit me lugë ndahet në pjesë në formë kokrrash e futet në furrë. Sekreti i gatimit të ballakumes është rrahja me dorë e pjekja në furrë druri.(LajmeShqip.com)