Lajme Shqip Tuesday, 11 August 2015 11:24

Kultura është para politikës në raportet midis Kosovës e Serbisë dhe ngjarjet e aktivitetet e përbashkëta janë dëshmi për këtë.

Bashkëpunimet e ndryshme, duke trajtuar tema që kanë të bëjnë me të kaluarën dhe situatën aktuale, kanë bërë që disa prej barrierave që ekzistojnë midis dy vendeve të thyhen. Por ndikimi në politikë është punë e zorshme. Këto kanë qenë disa prej konstatimeve në debatin “Ballafaqimi me të kaluarën”, i mbajtur të hënën në Muzeun e Hamamit në Prizren në kuadër të edicionit të 14-të të “DokuFestit”, transmeton Koha.net.

Procesi i ballafaqimit është konsideruar i gjatë, mbase edhe i vështirë, për faktin se dy qeveritë nuk bashkëpunojnë në këtë drejtim. Serbia ka njohur luftën në Kroaci. Kësisoj ka bërë edhe me atë të Bosnjës, por me Kosovën nuk ka bërë asnjë progres. Qeveria serbe vazhdon ta mohojë luftën, të zhdukurit dhe varrezat masive që gjenden atje. Në të dyja vendet, ata pjesëtarë të komunitetit artistik, që kanë bërë hapa tutje duke thyer kufijtë cilësohen edhe si tradhtarë.

“Nuk është aspak e lehtë të flasësh për të kaluarën, sepse procesi i ballafaqimit është i vështirë”, ka thënë Marjana Toma, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd.

Debati në temën “Ballafaqimi me të kaluarën” sivjet hapet për të tretën herë dhe qëllimi i tij është të adresojë rolin e rëndësishëm që arti dhe kultura kanë në krijimin e vlerave të reja që do të mund të ndihmojnë në ballafaqimin me traumat e konflikteve të viteve ‘90 të shekullit të kaluar. Sipas prezantimit që i kanë bërë organizatorët, zhvillimet e reja dhe shkëmbimet në art dhe kulturë në rajon janë indikatorët më të mirë të tij.

Pos Tomas, në debatin e moderuar nga kryeredaktori i “Kohës Ditore”, Agron Bajrami, kanë diskutuar edhe producenti kroat Oliver Setiq dhe dramaturgu kosovar Jeton Neziraj.

“Nëse shohim se çka ka bërë Serbia në lidhje me marrëdhëniet e Kosovës pas luftës, atëherë mund të themi se nuk ka bërë asgjë. Nuk janë diskutuar krimet që janë bërë, përderisa krejt e kundërta ka ndodhur me Kroacinë dhe Bosnjën. Krimet e bëra janë diskutuar, ndërsa me Kosovën nuk ka progres. Gjithçka është mohuar, edhe personat e humbur e po ashtu edhe varret masive në Serbi”, ka thënë Toma. Bashkëpunimet në art dhe kulturë ajo i konsideron si mënyra të vetme dhe pozitive në këtë drejtim. Për këtë ka marrë shembull njërin prej festivaleve, i cili në qershor të këtij viti organizoi edicionin e tij të dytë në Beograd, përderisa një festival i të njëjtit format, por me artistë serbë, është paralajmëruar për në shtator në Prishtinë.

“Festivali ‘Mirëdita, dobar dan’ është ngjarja e parë madhore që ka pasur të bëjë me ballafaqimin me të kaluarën dhe me krimet në Kosovë. Aty ka qenë i pranishëm edhe ministri i Kulturës i Serbisë. Festivalet e tilla mund të arrijnë diçka që politika nuk mundet. Por një rol të madh këtu e luan edhe media”, ka thënë Toma.

Për Setiqin, individët janë ata që mund të bëjnë më shumë në këtë drejtim, duke reaguar për procese të caktuara e që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën.

“Ne duhet të veprojmë individualisht, jo vetëm me shfaqje e me filma, por edhe me biseda, qofshin ato edhe me persona të cilët nuk duan ta pranojnë një gjë të tillë”, ka thënë Setiq.

Një tjetër projekt, përveç festivalit, është edhe shfaqja “Romeo dhe Xhulieta” që konsiderohet bashkëprodhimi i parë teatror midis Kosovës e Serbisë, të cilin e kanë ndihmuar edhe qeveritë e dy vendeve. Premiera në Kosovë e kësaj shfaqjeje nën regji të Miki Manojloviqit, ku aktorë shqiptarë e serbë luajnë në gjuhët e tyre amtare, u dha në maj të këtij viti.

Jeton Neziaj, drejtor i “Multimedias”, e cila është bashkë me “Radionica Integracije” të Beogradit janë producente të kësaj shfaqjeje, ka thënë se arti dhe teatri ofrojnë hapësirë ku njerëzit ballafaqohen me një realitet, i cili është fshehur nga mediet dhe të tjerët.

“Kultura e ka shterur energjinë negative që ka ekzistuar në të dy shoqëritë. Kur e dhamë premierën, diskursi i medieve atje gjithmonë ka qenë negativ dhe racist. Një gjë e tillë ende ekziston, por në një dozë më të vogël”, ka thënë Neziraj. Sipas tij, dialogu politik mes dy shteteve lidhet ngushtë me kulturën.

“Pa kulturën as dialogu politik nuk do të ishte i mundur”, ka thënë Neziraj. Pavarësisht kësaj dhe punës që ai dhe kolegët e tij kanë bërë në këtë drejtim, Neziraj ka thënë se duhet pranuar një gjë.

“Sado që mund të mendojmë se teatri mund të bëjë ndryshime dhe duam ta besojmë një gjë të tillë, duhet të tregohemi realë dhe të pranojmë se është e vështirë që në këtë formë t’ua ndryshojmë mendjen politikanëve”, ka thënë Neziraj.