Lajme Shqip Sunday, 23 September 2012 18:17

Prishtinë – Baleti Kombëtar i Kosovës ka shënuar 40-vjetorin e themelimit, në një ceremoni në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku u kujtua rrugëtimi në katër dekada i këtij institucioni të rëndësishëm kulturor.

Në ceremoni, ku të pranishëm ishin edhe personalitete të fushës së artit nga vendi dhe bota, ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, vlerësoi se Baleti Kombëtar i Kosovës është pjesë e kthesave të mëdha për Kosovën, lindur në kohë përpjekjesh për liri dhe barazi.

“Mendjet tona sot pashmangshëm shkojnë tek të gjithë ata që për kaq vite i kanë dhuruar publikut emocione të mëdha dhe kanë pasuruar artin dhe kulturën në vend. Vërtetë është për t’u çmuar puna e tyre në ato kohëra të vështira”, u shpreh ai.

Ministria e Kulturës ka ndarë një çmim mirënjohje për drejtorin e Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj, për punën që ka bërë që nga hapat e parë të Baletit, e sidomos në periudhën e pasluftës.

Mbrëmjen e djeshme, Trupa e Baletit të Kosovës ka dhënë për publikun shfaqjen “Dasma” të koreografit turk Mehmet Ballkan.(LajmeShqip.com)