Lajme Shqip Wednesday, 06 April 2011 15:38

Prishtinë – Kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për përfaqësimin e këngës shqiptare në Festivalin Evropian të këngës, që do të fillojë më 10 maj në Dyseldorf të Gjermanisë.

Këngëtarja Aurrela Gaçe do të përfaqësojë Shqipërinë me këngën “Kënga ime”. Bëhet e ditur se edhe Kosovës mund t’i krijohen mundësi që të votojë për këngët e këtij festivali.

Zv/drejtori i Televizionit Shqiptar, Martin Leka, dhe drejtori i televizionit publik të Kosovës, Bekim Hasani, dhanë detaje për mënyrën e përfaqësimit të Shqipërisë në festivalin e këngës evropiane.

Martin Leka, tha se kjo këngë nuk do të përfaqësojë vetëm Shqipërinë në Eurovizion, por, të gjithë kombin shqiptar.

Këngëtarja Aurrela Gaçe beson se ka një këngë me karakter shumë të fortë shqiptar. Autorët e kësaj kënge, Shpëtim Saraçi dhe Sokol Marsi, i kanë ofruar asaj një këngë që ndihet shumë mirë kur e këndon. Aurrelës nuk i interesojnë votat politike në këtë festival. Në festivalin e këngës evropiane, Aurrela do të ketë shoqërues vokalist dhe instrumentist.

Kënga fituese në festivalin e këngës në radiotelevizionin shqiptar “Kënga ime”, e kënduar nga Aurrela Gaçe, e shkruar nga Sokol Marsi dhe e kompozuar nga Shpëtim Saraçi, është ndër këngët më të votuara në internet, ndërsa Gjermania është shprehur hapur se kënga e Aurrelës është konkurrentja më e fortë e tyre. Festivali evropian i këngës do të fillojë më 10 maj në Dyzeldorf të Gjermanisë, ndërsa nata finale është më 14 maj.