Lajme Shqip Thursday, 17 September 2015 13:24

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës konsideron se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do të jetë një sukses i dyfishtë si për aplikuesin ashtu edhe për organizatën që do t’ia hapte dyert shtetit më të ri të Evropës.

Nëpërmjet shkresave zyrtare drejtuar drejtoreshës së përgjithshme të UNESCO-s Irina Bokova, akademive në mbarë botën dhe delegacioneve të UNESCO-s, AShAK-u ka argumentuar se pos nevojës, Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për të nisur bashkëpunimin me organizata ndërkombëtare, shkruan sot “Koha Ditore”.

Shkresa që në fund të gushtit të këtij viti i është dërguar drejtoreshës së përgjithshme të UNESCO-s, nis me shpjegimet se popullata e Kosovës është më e reja në Evropë dhe nevojat e potencialet e saj për arsim, shkollim e veprimtari kulturore, shkencore e sportive janë të mëdha. Në këtë letër shkruhet se shumë të rinj kosovarë ia kanë dalë të shënojnë rezultate në relacionet ndërkombëtare në fusha të ndryshme të arteve dhe të kulturës, të sportit, të shkencës e dijes. Bashkë më ketë shkresë, AShAK-u i ka bërë publike edhe dy të tjerat tek të hënën vonë. Ajo që i është dërguar Bokovas ka përmbajtje të njëjtë me atë që u është dërguar delegacioneve të UNESCO-s.

“Në shumë raste, me gjithë potencialet dhe vullnetin evident për integrim dhe bashkëpunim, ata po ndeshin pengesa që dalin nga mungesa e integrimeve institucionale ndërkombëtare, të cilat varen drejtpërsëdrejti nga UNESCO-ja”, shkruan në shkresën dërguar Bokovas e cila ashtu sikurse edhe dy të tjerat, është nënshkruar nga kryetari i AShAK-ut, Hivzi Islami.

Sqarohet se në këtë mënyrë rinisë po i pamundësohet të realizojë synimet normale për kapacitetet që ka dhe në rrethana dëshpërimi po shtyhet drejt rrugëve të tjera.

“Është koha e fundit që t’i bëhet e mundshme të integrohet në mekanizmat e tërë spektrit institucional të veprimtarive njerëzore që ofron ombrella e UNESCO-s, synim themelor i së cilës është emancipimi i njerëzimit dhe përmirësimi i jetës së popullatës së botës në çdo kënd të saj”, shkruhet aty. Integrimet e tilla, sipas Akademisë, do të bënin të mundshme që Kosova dhe populli i saj t’i adresojnë nevojat e veta në një rrafsh më të lartë dhe t’i integrojnë potencialet e veta në zhvillimin e mëtejmë integrues të botës.

AShAK-u kujton se si pasojë e ndërmarrjeve gjenocidale të regjimit të Milosheviqit, Serbia ka bërë vrasjen e rreth 15.000 civilëve, deportimin nga trojet e veta të mbi 1 milion shqiptarëve, rrënimin e tërë sistemit të funksionimit të shoqërisë, plaçkitjen e gjithë të mirave materiale e shpirtërore të Kosovës, madje të mbi një mijë eksponateve unike të kulturës dhe të artit në truallin e Kosovës nga neoliti e deri sot, rrënimin e mbi 140.000 shtëpive dhe të mbi 400 institucioneve të kultit.

Pa u bërë një muaj prej kur Kosova kishte bërë të ditur se ka nisur fletaplikimin e vet në UNESCO, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë ishte zotuar se do t’u shkruante të gjitha akademive në botë që të ndikojnë tek shtetet e tyre për mospranimin e Kosovës në UNESCO. Këtë agjendë politike Akademia Serbe e kishte konkretizuar në ditën e 18 të gushtit. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës 12 ditë pas kësaj u është drejtuar mbarë akademive botërore nëpërmjet një shkrese ku ofrohen argumente për qëllimin e Akademisë serbe që si institucion është ideator i fatkeqësive ballkanike të udhëhequra nga Serbia në vitet ‘90.

“Letra e kryetarit të SANU-s (Srpska Akademia Nauka i Umetnosti v.j.) ishte tërësisht e ingranuar në propagandën shtetërore serbe me synimin që të bindte akademitë e botës të kërkonin që të mos i lejohej Republikës së Kosovës dhe popullit të saj të integrohen në mekanizmat ndërkombëtarë që merren me arsimin, shkencën, kulturën, sportin, trashëgiminë, pra pikërisht edhe me mbrojtjen e tyre”, shkruhet në letrën e AShAK-ut drejtuar akademive të botës.

Ndër të tjera, aty sqarohet se forcat ushtarake, paramilitare e policore serbe, me nxitje të SASA-s dhe me bekim të krerëve të Kishës Ortodokse Serbe, pas një dekade anektimi të dhunshëm të Kosovës në vitet 1998-99 vranë rreth 15.000 civilë burra, gra e fëmijë, ndër ta dhe 21 hoxhallarë, mijëra prej tyre ende të pagjetur. Në letër theksohet se forcat serbe dogjën dhe rrënuan mbi 140.000 shtëpi, dogjën dhe shkatërruan 218 xhami, dhjetëra teqe e shumë objekte të tjera kulti, arkiva, biblioteka e trashëgimi kulturore.

Përmendet edhe frustrimi dhe pakënaqësia e vitit 2004 me ç‘rast, për fat të keq, pati të vrarë, shkatërrime të pronës dhe objekteve të kultit.

“Edhe pse nën protektorat, Kosova i mori përgjegjësitë e veta dhe nga buxheti i saj i varfër ndau miliona euro për rindërtimin e kishave ortodokse. Deri sot për këtë qëllim janë shpenzuar mbi 10 milionë euro dhe janë kryer të gjitha punët e rinovimit. Ndërkohë, Serbia deri sot nuk ka marrë asnjë përgjegjësi për djegien dhe rrënimin e mbi 140.000 shtëpive, të 218 xhamive, të arkivave, të infrastrukturës, madje as i ka kthyer mbetjet mortore të të pagjeturve nga varrezat masive gjithandej nëpër Serbi”, shkruhet në letër. Në këtë shkresë është përmendur edhe fakti se kishat ortodokse serbe në Kosovë e gëzojnë nga viti 2008 mbrojtjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të policisë dhe të organeve të tjera të Republikës së Kosovës dhe janë të lira ta zhvillojnë tërë veprimtarinë e tyre në kuadër të Kishës Ortodokse Serbe. Përmendet toleranca e kultivuar shqiptare, duke marrë shembull mbrojtësit shqiptarë të manastireve të Deçanit, të Pejës, të Deviçit, të cilëve Kisha Ortodokse Serbe u ka dhënë mirënjohje dhe gradat vojvoda.

Qeveria e Kosovës fillimisht kishte nisur kërkesën për pranim në UNESCO nëpërmjet OKB-së, por kjo organizatë kishte refuzuar të ndërmjetësonte procesin. Ministria e Punëve të Jashtme kishte paralajmëruar një betejë të fortë diplomatike me Serbinë sa i përket këtij procesi. Kosova i ka hyrë rrugës për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO, duke ndjekur praktikat e mbi 20 shteteve që janë pranuar edhe pa qenë anëtare të OKB-së. Fushatës për pranimin e Kosovës në UNESCO i janë bashkuar edhe figura me nam botëror si sopranoja Inva Mula, Rita Ora, artistja Flaka Haliti, e fituesi i çmimit “Nobel” për mjekësi, Ferid Murati. Javën e kaluar 44 shtete kishin bashkësponsorizuar futjen e Kosovës në agjendën zyrtare të Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s në tetor të këtij viti. Nëse Kosova merr shumicën e votave nga 52 shtete në tetor atëherë pranimi në UNESCO do të varet nga votat e 195 shteteve anëtare, në Asamblenë e Përgjithshme që do të zhvillojë punimet në nëntor të këtij viti.