Lajme Shqip Tuesday, 21 February 2012 18:00

Tiranë – Një ekspozitë me produkte artizanale, të punuara nga gratë kuksiane, do të çelet nesër në Muzeun Historik Kombëtar.

Prodhimet e artizanatit të sotëm kuksian janë në vazhdën e traditave shekullore që datojnë nga koha Ilire. Ka qenë shumë e lashtë tradita e poçerisë, e cila në rrethanat e sotme mund të konsiderohet e zhdukur.

Punët e dorës së grave janë ato që më së shumti i kanë rezistuar kohës deri në ditët e sotme. Qilimat e sixhadet e prodhuara nga gratë kuksiane janë të një cilësie të lartë, të bukura dhe shumë të preferuara në tregun shqiptar dhe të huaj.

Këto prodhime para 2 dekadave eksportoheshin nga Shqipëria në disa vende të Europës, dhe ishin tepër të kërkuara. Prodhimet e artizaneve kuksiane kanë qenë po aq të famshme, sikurse dhe prodhimet e artizaneve të Korçës dhe të Krujës.

“Prodhime Artizanale të Grave Kuksiane” do të qëndrojë e ekspozuar në MHK në datat 22, 23 dhe 24 shkurt.