Lajme Shqip Saturday, 02 July 2011 10:45

Tiranë – Tre muzikantët Dhurata Lazo, Zija Bejleri dhe Andrea Canaj janë artistët që kanë përçuar muzikën e kompozitorëve shqiptarë në koncertin e tyre të fundit, pak kohë më parë, në “Roter Saal” në qytetin Rockenhausen-it në Gjermani.

Në koncertin që zgjati 1 orë e 20 minuta kornisti i Orkestrës së RTSH-së, Andrea Canaj, interpretoi Suitë për korno nga Tish Daija, Këngë epike nga Çesk Zadeja, Romancë nga Josif Minga, Koncertino dhe Meditim nga Ferdinand Deda.

Në lidhje me këtë të fundit kornisti Canaj, tha se u prit mjaft mirë dhe pati një dëshirë nga publiku që të interpretohej prapë. “Në përgjithësi koncerti u prit mirë, interesi ishte i madh për muzikën shqiptare”, tha Canaj.

“Ishte një përjetim tepër specifik muzikor, që iu ofrua 150 spektatorëve në ‘Roter Saal’.”, shkruan gazeta gjermane “Rheinpfalz”, në lajmin me titull “Shqiptarët luajnë vepra shqiptare”.

Pianistja Dhurata Lazo interpetoi në pino tingujt e “Miniaturës” nga penda e Tonin Harapit, ndërkohë që sipas gazetës gjermane, Bejleri shkëlqeu në Sopran dhe Altsaksofon.

Kryetari i bashkisë së Rockenhauzenit Karl Heinz Seebald, në përfundim të koncertit vlerësoi me fjalë entuziaste artistët shqiptarë dhe lojën e tyre.

Kornisti Canaj u shpreh se në Gjermani zhvillojnë shpesh koncerte me muzikë të vendeve të ndryshme, ndërkohë që koncerti me muzikë shqiptare u organizua nga drejtoresha e gjithë shkollave të muzikës të rajonit të Donnersbergut, Jolanthe Seidel-Zimmermann.

“Interesi ishte i madh edhe për vegla frymore dhe për partiturat e kompozitorëve shqiptarë për korno”, tha Canaj. Muzikanti tha se i është propozuar përsëri nga pianistja Lazo një koncert tjetër me muzikë shqiptare jashtë kufijve.

Në planet e afërta të Andrea Canaj janë koncertet në Maqedoni e Prishtinë, si dhe një koncert recital në kuadër të 50-vjetorit të tij të lindjes, gjatë këtij viti.

Andrea Canaj ka studiuar korno dhe ka dhënë koncerte me orkestra të ndryshme brenda dhe jashtë shtetit. Që nga viti 1991 ai është lektor në Akademinë e Lartë të Arteve të Tiranës, departamenti i veglave të frymës dhe muzikës së dhomës si dhe drejtues i klasës së kornos.