Lajme Shqip Wednesday, 08 February 2012 08:00

Midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës, artistja serbe Milena Spasiç ka hapur një ekspozitë që për temë ka luftën e fundit në Kosovë.

Ekspozita e saj po qëndron e hapur këto ditë në ShBA dhe siç raportojnë mediat amerikane ajo ka ngjallur goxha debat. Ekspozita e Spasiç ( e cila ka prejardhje nga Kosova) titullohet “Kosovo Series” dhe përbëhet nga piktura dhe fotografitë.

Sipas Spasiç, kjo ekspozitë tenton të tregoj se cilat kanë qenë pasojat e serbëve dhe shqiptarëve nga lufta e fundit.

 “Kjo ekspozitë tenton të tregoj tmerret e luftës që për ca njerëz ka qenë një vendim i drejtë. Por për mua kjo luftë për shumicën e njerëzve në Kosovë ka qenë mbytëse”, ka thënë Spasiç. Sipas artistes serbe, ekspozita është një përjetim personal i saj në luftën e Kosovës.

Në veprat e saj shihen disa zona rurale të cilat janë të shkatërruara nga lufta. Ajo ka folur edhe për atë sesi disa serb e kanë pritur këtë ekspozitë.

“Më kanë thënë disa serb, të cilët unë i njoh, se me këtë ekspozitë po u jap të drejtë shqiptarëve. Por unë u kam thënë se me këtë ekspozitë dua të tregoj se lufta ka qenë e keqe edhe për shqiptarët por edhe për serbët e thjeshtë”, ka thënë Spasiç, për Washington Post. (LajmeShqip.com)