Lajme Shqip Friday, 02 December 2011 20:15

Prishtinë – Një ritual, i cili bënte thirrje për respekt e dashuri mes njerëzve, i improvizuar nga grupi i aktorëve të rinj “Filizat”, tërhoqi vëmendje nga mesi i sallës.

Performanca e shkurtër teatrale ishte përzgjedhur për hapjen e edicionit të gjashtë të ekspozitës tradicionale garuese “Arti islam”. Fotografi nga Kumanova, Muhamedali Aliu, doli triumfuesi i garës. Vendi i dytë i takoi Sabile Tmavës dhe i treti Malësor Bekës.

Pesëmbëdhjetë fotografë nga Kosova dhe Maqedonia i janë përgjigjur ftesës për ekspozitën e organizuar nga Organizata për Kulturë, Edukim dhe Arsim (AKEA), në bashkëpunim me galerinë “Open Art”. Ekspozita tradicionale “Arti islam” për dy javë rresht do të jetë në dispozicion të artdashësve në Prishtinë, Podujevë dhe Prizren.

Bashkim Mehani, organizator i ekspozitës “Arti islam”, ka thënë se ky edicion u është dedikuar fotografive që pasqyrojnë artin islam.

“Arti islam në përgjithësi është art që paraqet vlera të veçanta, të cilat burojnë nga shpirti, nga besimi në krijuesin, prandaj ato kanë lënë gjurmë në historinë njerëzore dhe civilizimin e gjithëmbarshëm njerëzor dhe në këto vlera, të cilat ekzistojnë edhe në trevën tonë në Kosovë përmes arkitekturës, miniaturës, kaligrafisë”, ka thënë Mehani. “Këtë radhë po i paraqesim përmes fotografisë”, ka shtuar ai.

Sipas Mehanit, “Arti islam” në edicionet e radhës do të zgjerohet edhe më shumë.

“Synimi ynë është që në edicionet e tjera të ekspozitës ‘Arti islam’ të veçohemi me disiplina të veçanta të artit, ku në edicionet e ardhshme sigurisht do të sjellim diçka edhe më inovative që nuk është parë deri më tani”, ka thënë ai.