Lajme Shqip Monday, 05 December 2011 15:20

Tiranë – Investimet e vitit 2012 do të fokusohen me përparësi në arsimin profesional, që përbën prioritetin kryesor në fushën e arsimit.

Sipas ministrisë së Arsimit, investimet janë  të planifikuara në kuadër të Programit IPA. Këtë vit ka filluar ndërtimi i 5 shkollave të reja profesionale që duhet të përfundojnë brenda vitit 2012.

Ndërkohë, gjatë vitit 2012 do të fillojë, sërish në kuadër të Programit IPA, zgjerimi dhe rikonstruksioni i 3 shkollave të tjera të arsimit profesional. Përmes këtyre investimeve në godina rritet me rreth 15% kapaciteti i sistemit të arsimit profesional.

Reforma e thellë e arsimit profesional është përcaktuar si prioriteti kryesor i arsimit në kuadër të Programit IPA. Synimi është që të rritet pjesëmarrja e nxënësve dhe e të rriturve në arsimin profesional dhe të zgjerohet oferta akademike për arsimin profesional në drejtime dhe profile që u përgjigjen më mirë kërkesave të tregut të punës.

Buxheti i vitit 2012 siguron bashkëfinancimin e projekteve me organizatat partnere. Projekti kryesor është ai “Cilësi dhe Barazi në Arsim” (CBA), ku Qeveria shqiptare është bashkëfinancuese me 40% të fondit total.

Në kuadër të këtij projekti, do të mbështeten investimet në 13 projekte për shtrirjen e teknologjisë së informacionit në arsim që i shërbejnë fazës së dytë, asaj të çuarjes së internetit në çdo klasë dhe mësimit të mbështetur edhe në teknologjinë e informacionit.

Investim tjetër shumë i rëndësishëm në kuadër të projektit CBA është edhe ai për ngritjen e laboratorëve mësimorë në arsimin bazë (250 laboratorë) dhe atë të mesëm (280 laboratorë), gjithsej 530 laboratorë. Pra, rreth 25% e shkollave përfitojnë laboratorë në lëndët natyrore.

Gjithashtu, në vitin 2012 do të financohen 10 laboratorë mësimorë-kërkimorë në universitetet publike, me një vlerë prej rreth 10 milionë lekë secili, që do t’u shërbejnë, në mënyrë të veçantë, studentëve të masterit dhe doktoratës, si dhe projekteve të kërkimit shkencor të pedagogëve dhe profesorëve të universiteteve.