Vlorë – Dy vjet më parë, një shkrim i botuar nga gazetari i ATSH-së për Shpellën e Spillesë në Himarë, bazuar në faktet historike për kthimin e Odiseut nga Troja për në Itakë, që i referohej historianit vlonjat, prof.dr.Bardhosh Gaçe, zgjoi interesin e tre arkeologëve dhe historianëve anglezë. Tre javë më parë, tre arkeologët mbërritën në Vlorë dhe udhëtuan drejt Himarës, për të shkuar në vendin mitologjik, Shpellën e Spillesë.
Përmes shkrimit të transmetuar asokohe nga ATSH-ja, për herë të parë bëhej publik fakti se, “Shpella e Spillesë në Himarë, ishte vendi ku zhvillohej skena e famshme e fiksuar në filmin “Uliksi”, interpretuar nga aktori i njohur kosovar me famë botërore, Bekim Fehmiu.
Dy vjet më pas, arkeologët anglezë, pasi vizituan Shpellën dhe fotografuan ambientet brenda saj, u kthyen plot mbresa në Vlorë, ku bashkëbiseduan me historianin Bardhosh Gaçe, lidhur me dimensionet historike dhe ato natyrore të Shpellës.
“Kishin lexuar web-et që citonin dhe faktet që trajtoheshin për shpellën e Spillesë dhe deklaratat e vizitës së Bekim Fehmiut në të”, tregon Gaçe.
“Kishin kaluar pothuajse katër vjet, nga fundi i gushtit të vitit 2006, kur Fehmiu kishte vizituar Shpellën e Spillesë, mjedisin që sipas tij “duhej të ishte skena e vërtetë ku duhej të luhej në filmin “Uliksi”, momenti i përballjes me Ciklopin”, kujton profesor Gaçe që e shoqëronte Fehmiun në këtë vizitë.
“Ky është një monument i rëndësishëm që duhet të ruhet dhe të promovohet, pasi sjell momente të njohura të historisë së mitologjisë”, sjell në kujtesë Gaçe thënien e Bekim Fehmiut, që pasi vinte për herë të parë në Vlorë ku aktori kosovar kishte mbetur i mahnitur. Fehmiu i kishte treguar historianit vlonjat se, për të interpretuar Uliksin, kishte lexuar shumë nga historia e mitologjisë greke.
“Kishte lexuar mjaft libra të autorëve grekë dhe kishte adhurim për mitologjinë. Madje, shprehu keqardhjen se origjinaliteti i krijimtarisë së dikurshme të mitologjisë, trajtohej ndryshe nga autorët aktualë. Përmes leximeve të shumta, Fehmiu kishte hyrë në brendësi të rolit dhe siç tregonte, e përjetonte atë me të gjithë forcën e shpirtit. Prandaj dhe, donte të kishte një kujtim nga vendi real historik, ku ishte zhvilluar skena e Odiseut me Ciklopin. Bëmë fotografi dhe ai e mori atë me vete si një gjë të shtrenjtë”, kujtonte Gaçe bashkëbisedimin me aktorin e famshëm, gjatë asaj vizite të tij në Vlorë dhe në Shpellën e Spillesë, që do të mbetej edhe e vetmja”, kujton historiani vlonjat.
Dhe, për këtë ngjarje të rëndësishme për kulturën dhe historinë shqiptare, korrespondenti i ATSH-së shkroi “In memoriam”, një ditë pas ndarjes nga jeta të Bekim Fehmiut, në datën 15 qershor të vitit 2010. Në këtë shkrim përshkruheshin momentet, mbresat dhe deklaratat e aktorit kosovar gjatë vizitës së tij në Shpellën e Spillesë.
Arkeologët në hyrje të shpellës, sipas Gaçes, kishin gjetur foto të Bekim Fehmiut, që dikush e kishte vendosur aty. E kishin marrë me vete si një kujtim të vyer. “Premtuan se do të shkruanin për të”, shprehet historiani vlonjat, për vizitën e tre arkeologëve dhe historianëve londinezë.