Lajme Shqip Wednesday, 29 February 2012 18:32

Tiranë- Në kinemanë e Arkivit Qëndror Shtetëror të Filmit u projektuan sot tre filma me metrazh të shkurtër, të prodhuar së fundmi.

Filmi “Para perëndimit të diellit”, me skenar nga Flori Balliu, regji nga Kled Kapexhiu dhe muzikë nga Endri Sina, vjen nën  interpretimin e aktorëve Myzafer Zifla, Lulzim Zeqja, Sulejman Dibra, Todi Llupi, Fatmir Xhelili, Sheri Mita, etj. Një i ri i shpall garë punëtorit më të fortë të kooperativës. Gara zhvillohet në kohën e komunizmit, në vitet ’70, ditën e dielë, në pranverë.

Gara konsiston në hapjen e një kanali 10 m të gjatë e 1 m të gjerë e 1.5 m të thellë, nga lindja deri në perëndim të diellit. Gjithçka duhet bërë me forcat e veta. Në fund të garës fituesi do të marrë flamurin e garave socialiste.

Filmi tjetër që u shfaq është “Matanë lumit”, me skenar të Vladimir Priftit dhe regji nga Sabir Kanaqi, me producent Eno Milkanin dhe Eol Çashku. Në role interpretojnë Reshat Arbana, Arben Derhemi. Ndërsa filmi i tretë, që u shfaq në kinemanë e AQSHF, është filmi me titull “Dita e fundit e Loro Shestanit”, me regji dhe skenar nga Sokol Keraj.   

Filmat u shfaqën në vijim të projeksioneve të filmave që janë programuar në aktivitetin artistik të arkivit të filmit, ndërsa këtë herë ato janë tre prodhime shqiptare, të cilët sjellin aktorë të njohur e të rinj, të cilët nën drejtimin e regjisorëve bëhen pjesë e historive apo të ngjarjeve të ndryshme.

Këtë vit, që përkon edhe me 100-vjetorin e Pavarësisë, programi i AQSHF-së konsiston në shfaqjen e filmave dhe dokumentarëve kushtuar figurave të rëndësishme të kombit tonë, në të gjitha trevat shqiptare. Tradita e AQSHF-së për të mërkurën e filmit, që nisi një vit më parë, do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti, por kësaj here kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë.