Lajme Shqip Wednesday, 23 March 2011 19:03

Tiranë – Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit shfaqi paraditen e sotme tre filma dokumentarë nga krijimtaria e kineastes Vitori Çeli, në kuadër të “Muajit të Grave Kineaste”.

Në kinemanë e AQSHF-së i pari u shfaq dokumentari “Banorë të rinj buzë Jonit”, një realizim i vitit 1976, më pas ai i realizuar në po të njëjtin vit “Asdreni” dhe në fund publiku duartrokiti dokumentarin “Prite, prite Skënderbenë”, xhiruar në vitin 1983.

Kineastja Vitori Çeli ka bashkëpunuar në krijimet e saj me skenaristët Vllasova Musta e Kolec Traboini dhe montazhieret Dallëndyshe Baboci, Eli Coja e Nazmije Sula.

Vitori Çeli, regjisore e filmit dokumentar dhe regjisore montazhi, lindi në Neë York në 24 maj 1928. Pasi zhvilloi një kurs në Moskë, ku u specializua në dublimin e filmave, filloi punë në Kinostudio që më themelimin e saj në vitin 1952.

Çeli ishte regjisorja e parë e dublazhit dhe montazhit dhe si e tillë punoi në filmat e parë artistikë të prodhuar nga Kinostudio. Përveç tyre, ajo realizoi edhe rreth 36 filma kronikalë e dokumentarë.

AQSHF do të shfaq pas dy ditësh edhe tre filma të regjisores Xhanfize Keko, si një aktivitete homazh në kujtim të regjisores së filmave artistikë. Ndërkohë që javën e fundit të marsit do të shfaq filma nga krijimtaria e regjisores Adriana Elini Xhajanka.

Marsi  është shpallur nga AQSHF “Muaji i Grave Kineaste” në kudër të festës së 8-Marsit, kushtuar femrafve kineaste që nuk janë të shumta në numër, por që kanë realizuar një sër prodhimesh filmash artistik e dokumentarë.